image Kosovarët nuk do të mund të hyjnë në Suedi deri në vitin 2022

Evropë

Kosovarët nuk do të mund të hyjnë në Suedi deri në vitin 2022

news image

Qeveria suedeze ka zgjatur ndalimin e hyrjes në këtë shtet për vendet jashtë Bashkimit Evropian, deri më 31 janar 2022.

Ky vendim përfshin edhe Kosovën, qytetarët e së cilës, muajve të fundit nuk janë lejuar të hyjnë në shtetin skandinav.

Siç thuhet në njoftimin e qeverisë suedeze, ndalimi i hyrjes në këtë shtet bazohet në një rekomandim të Këshillit të Bashkimit Evropian, që është në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Rregullorja përcakton se një shtetas i huaj që udhëton në Suedi nga një vend jashtë BE-së u nënshtrohet ndalesave deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm.

Kjo nuk vlen vetëm për ata që bëjnë pjesë te “përjashtimet”, të cilëve për të hyrë në Suedi u duhet gjithsesi testi negativ. Përjashtimet, sipas njoftimeve të qeverisë suedeze, përfshijnë shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi në Suedi, që kanë ndonjë nevojë emergjente ose që kanë ndonjë funksion në këtë shtet.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 5 nëntor 2021.

Ndërkaq, ndalesat për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian do të shtyhen deri më 30 nëntor të këtij viti.

Shtetasit e BE-së mund të hyjnë në Suedi nëse e paraqesin certifikatën e vaksinimit, një test negativ të kryer në 72 orët e fundit, ose dëshminë se janë shëruar nga COVID-19 në gjashtë muajt e fundit./GazetaSinjali/