image Kosova synon fitore në “Fadil Vokrri” kundër Armenisë

Kosova synon fitore në “Fadil Vokrri” kundër Armenisë

news image

Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte miqësoren e parë të nëntorit. “Dardanët” do ta presin Armeninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në përballjen që do të nisë në orën 18:00.

Selektori Alain Giresse ka ftuar kryesisht lojtarë të rinj për dy miqësoret e këtij muaji, të cilët do t’i provojë për ta parë nëse ndonjëri prej tyre mund të bëhet pjesë e rëndësishme e Kombëtares në të ardhmen.

Trajneri francez kërkon nga lojtarët të bëjnë lojë të mirë dhe ta shfrytëzojnë këtë rast që po u jepet.

“Është me rëndësi për lojtarët që në këto dy ndeshje t’i tregojnë vlerat në fushë. Kemi kryesisht futbollistë të rinj për këto dy miqësore, por kemi edhe disa me përvojë. Kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që të mësojnë dhe të fitojnë përvojë”, ka theksuar Giresse në konferencë për shtyp.

“Në këto dy miqësore është me rëndësi t’i shohim lojtarët e rinj. Ata duhet t’i tregojnë vlerat e tyre për të qenë edhe në të ardhmen pjesë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është shprehur i lumtur që është sërish pjesë e Kombëtares dhe i gatshëm për ta treguar potencialin e tij.

“Jemi gjithë lojtarë të rinj. Duam të paraqitemi sa më mirë, t’i tregojmë vlerat tona dhe të ftohemi edhe në ndeshjet e tjera. Shpresoj të kem mundësinë t’i tregoj vlerat e mia. Besoj që paraqitjet me Ballkanin do të më ndihmojnë të luajë sa më mirë edhe te Kosova”, ka thënë Emërllahu.

Trajneri Giresse i ka ftuar 22 futbollistë për miqësoret e nëntorit, ndërsa i ka lënë të lirë lojtarët e rëndësishëm, shkruan “Gazeta Express”.

Krahas Armeninë, Kosova do ta zhvillojë edhe një miqësore këtë të shtunë, kundër Ishujve Faroe, po ashtu në Prishtinë, për ta mbyllur kështu vitin 2022.

/GazetaSinjali/