Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020, shpërfaq një pamje të zymtë të korrupsionit në gjithë botën. Kosova, është përkeqësuar në këtë aspekt, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare Transparency International, e cila në raportin për vitin e kaluar, ka theksuar se shumë shtete kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe se korrupsioni jo vetëm që pengon luftimin e koronavirusit, por edhe kontribuon në vazhdimin e krizës së demokracisë.
“Viti 2020 ka rezultuar të jetë një nga vitet më të këqija për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe efekteve të saja shkatërruese. Ndikimi në aspektin shëndetësor dhe ekonomik ka qenë katastrofik për njerëzit në gjithë botën”, është përmendur në raport.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Kosova këtë vit është radhitur e 104-ta me 36 pikë, duke shënuar përkeqësim në luftën e korrupsionit, meqë ka rënë për tri pozita më poshtë sesa vitin e kaluar.
Shqipëria, ndonëse ndan numrin e njëjtë të pikëve dhe renditjes me Kosovën, ajo ka shënuar përparim në këtë drejtim, duke u ngritur për dy pozita më lartë sesa vitin e kaluar./Gazeta Sinjali/