image Kosova nuk mund ta detektojë variantin Delta të koronavirusit

Shëndetësi

Kosova nuk mund ta detektojë variantin Delta të koronavirusit

news image

Delta është një variant i koronavirusit që po përhapet mjaft shpejtë në botë. Por, për këtë variant Kosova nuk mund të kryejë teste për ta detektuar, pasi që për këtë nuk ka reagenca. Këto teste, ministria i dërgon në Berlin.

Reagenca është substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize dhe një procedurë e tillë kërkon pajisje, ekspertizë, ambient dhe infrastrukturë të veçantë.

Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta më 29 qershor. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

Skender Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Bullgari, tha se vaksinimi i qytetarëve, në këtë kohë kur po përhapet varianti Delta, është shumë i rëndësishëm.

Ai shtoi se Kosova duhet të ngre kapacitetet, në mënyrë që testet të jenë të përditësuara, varësisht prej zhvillimit të situatës epidemiologjike dhe shfaqjes së varianteve të reja të COVID-19. Ai po ashtu tha se hapa të tjerë epidemiologjikë duhet të ndërmerren gjatë gjithë fazave të pandemisë.

(Hapat që duhet të ndërmerren janë) Identifikimi i hershëm i rasteve, izolimi i tyre, mbajtja e distancës fizike apo sociale në momentet kur identifikohet se ka shpërndarje të virusit. Sa u takon testeve, secili vend bën numër të testeve në bazë të resurseve që ka në dispozicion, në bazë të kapaciteteve dhe nevojave”, tha Syla për REL.

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se kjo organizatë është duke ndihmuar Kosovën që sa më parë të sigurojë materiale testuese për variantin Delta.

Kurse, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj, tha se klinika që ai udhëheq, është në gjendje gatishmërie për të trajtuar rastet me cilindo variant të koronavirusit.

“Varianti Delta nuk ka ndonjë protokoll të veçantë të trajtimit, por trajtimi është sikurse variantet e tjera që kanë qenë më përpara, edhe ky variant duhet të trajtohet me protokoll të njëjtë”, tha Vishaj.

Vishaj tha se variantet ekzistuese të sëmundjes COVID-19, por edhe ato që mund të zbulohen në të ardhmen, janë shqetësuese nëse qytetarët nuk vaksinohen.

Zyrtarë të OBSH-së, kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit, “janë efektive”, kundër variantit Delta./Gazeta Sinjali/