image Kosova nesër dërgon në Berlin mostra për të vërtetuar se s'ka variant të ri të koronavirusit

Shëndetësi

Kosova nesër dërgon në Berlin mostra për të vërtetuar se s’ka variant të ri të koronavirusit

news image

Në vende të ndryshme të botës ka filluar të përhapet një variant i ri i COVID-19, megjithatë në Kosovë nuk ka dyshime për një të tillë, shkruan Gazeta Sinjali.

Për ta vërtetuar një gjë të tillë, të hënën Kosova do t’i nisë për në Gjermani 30 mostra.

Lidhur me këtë, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Xhevat Jakupi, ka thënë se 30 mostra do të dërgohen në një spital të Berlinit nesër, për të verifikuar nëse është duke qarkulluar në Kosovë ndonjë variant tjetër i COVID-19.

“Po kemi plan me dërgu, mostrat janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme, janë zgjedhur 30 mostra nga rajone të ndryshme që kanë dalë pozitivë me COVID-19 ditë më parë”, tha ai.

Jakupi tha se ende nuk dihet se sa do të vonohen rezultatet e këtyre mostrave, gjersa u shpreh se këto mostra do të dërgohen në Charité – Universitätsmedizin – Berlin, që është një nga spitalet universitare më të mëdha të Evropës.

“Nuk kemi njohuri sa kohë merr kjo për të na informuar për rezultatet. Mostrat do të dërgohen në spitalin Charite University të Berlinit”, shtoi tutje Jakupi.

Po ashtu, Jakupi theksoi se e gjithë kjo është një financim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bazë të programit të saj.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë ka një program të tillë në dispozicion. Kushdo prej shteteve të botës munden me shfrytëzu me bo kërkesë edhe OBSH me atë program me bartjen e mostrave jashtë vendit e financon, e financon krejt, edhe bartjen, edhe kryerjen e rezultateve dhe vetëm na informojnë  përmes email-it”, përfundoi ai.

/Gazeta Sinjali/