Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur sot stërvitjen e dytë në kuadër të grumbullimit për miqësoret kundër San Marinos dhe Maltës, njofton FFK, përcjell Sinjali Sport.
Në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm 19 futbollistë, ngase për shkak të disa shqetësimeve të vogla shëndetësore ka munguar sulmuesi Vedat Muriqi.
Edhe gjatë stërvitjes së sotme djemtë dardanë kanë punuar me përkushtim të madh, derisa prurjet e reja tashmë kanë filluar ta njohin më mirë pjesën tjetër të futbollistëve.
Gjatë kësaj stërvitje krahas aspektit fizik, përzgjedhësi Challandes u ka shpjeguar futbollistëve strategjinë e tij dhe lojën të cilën ai dëshiron ta ndërtojë për ndeshjet e ardhshme.
Njëri nga emrat e rinj të përfaqësueses, Lorik Emini, pas stërvitjes ka folur për faqen zyrtare të FFK-së, ku ka thënë se ndjehet krenar që është bërë pjesë e Dardanëve dhe është shprehur i lumtur me pritjen që iu ka bërë nga përzgjedhësi dhe bashkëlojtarët.
Dardanët do të vazhdojnë me stërvitje në stadiumin “Fadil Vokrri”, nesër paradite në orën 11:00, ku 15 minutat e para do të jenë të hapura për media.