image Kosova evakuoi dy shtetas, por sa kanë arritur vendet e tjera të evakuojnë njerëz nga Afganistani?

Botë

Kosova evakuoi dy shtetas, por sa kanë arritur vendet e tjera të evakuojnë njerëz nga Afganistani?

news image

Që kur talebanët morën kontrollin në Kabul të dielën, shtetet kanë nxituar për të rikthyer shtetasit e tyre, si dhe afganët që janë në rrezik nga regjimi i ri. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar numrin më të lartë të afganëve.

Falë ndihmës së ShBA-së dhe shteteve evropiane, Kosova ka arritur që të evakuojë dy shtetas të cilët janë në një shtet tjetër të sigurt, emri i të cilit shtet nuk bëhet i ditur dhe do të kthehen shpejt në Prishtinë.

Shtetet e Bashkuara në total kanë evakuuar mbi 5 mijë e 200 njerëz, përfshirë 2 mijë në 24 orët e fundit. Washingtoni është zotuar të evakuojë 22 mijë afganë të konsideruar në rrezik dhe të gjithë 15 mijë shtetasit amerikanë që janë ende në Afganistan.

Presidenti Joe Biden tha se askush nuk do të mbetet mbrapa dhe operacioni i evakuimit mund të vazhdojë përtej 31 gushtit, si afati që ishte lënë për tërheqjen e plotë të amerikanëve nga Afganistani.

Sipas të dhënave nga Reuters, Britania e Madhe që nga e diela ka evakuuar rreth 1 mijë e 200 njerëz, përfshirë afganë.

Gjermania ka tërhequr 500 persona, përfshirë edhe 100 afganë. Franca ka evakuuar 209 persona, përfshirë 184 afganë.

Spanja ka tërhequr 500 persona, ndërsa Holanda ka rikthyer 35 shtetas të saj si dhe ka shprehur gatishmërinë për të marrë 1 mijë afganë.

Danimarka ka evakuuar 84 persona, Hungaria 26 shtetas të saj, Polonia 50 persona, Republika Çeke 46 persona përfshirë afganë, Japonia 12 punonjës të ambasadës, Australia 26 persona përfshirë afganë. India 170 persona si dhe Turqia 552 shtetas të saj. Zvicra synon që të evakuojë 230 afganë./Gazeta Sinjali/