image Kosova e rrezikuar nga shpërthimi i helmeve dhe kimikateve me veti radioaktive

Kosovë

Alarm/ Kosova e rrezikuar nga shpërthimi i helmeve dhe kimikateve me veti radioaktive

news image

Pas luftës së fundit në Kosovë me shkatërrimin e fabrikave kanë mbetur shumë mbeturina kimikale me veti të rrezikshme. Sasi të mëdha të këtyre mbeturinave janë të depouara në vende jo adekuate dhe pa ndonjë standard të ruajtjes së tyre.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për prodhimin e energjisë elektrike përdorë një sasi të konsiderueshme të kimikateve të ndryshme, e që shumica nga to kanë veti radioaktive, shpërthyese poashtu edhe helmuese.

Vetëm në Termocentralin A ndodhen pesë transformatorë që dyshohet se përmbajnë vaj të kontaminuar me përmbajtje të bifenilet poliklorinuar (PCB)-s, të cilat kanë veti të dëmshme për shëndetin e njeriut, pesha e vajit është afro 5 tonë. Aktualisht dy prej këtyre transformatorëve janë ende në operim.

Sipas të gjeturave të raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, këto vajra paraqesin rrezik për shpërthim, janë helmuese dhe radioaktive.

Duke iu referuar këtij raporti, aktualisht mbeturinat e rrezikshme ruhen në objekte të ish-fabrikave përkatëse, në magazina dhe depo të një sigurie të nivelit shumë të ulët. Këto mbeturina janë të sistemuara pa ndonjë kriter dhe vlerësim paraprak.

Në gjendje më të mirë nuk është as Termocentrali Kosova B, ku janë të vendosura një sasi e materieve kimike që shfrytëzohen për proceset e ndryshme gjatë prodhimit të energjisë elektrike. Vajra dhe kimikate të ndryshme në këtë depo janë sistemuar nëpër rezervuar të plastikës dhe metalit, por këto kimikate kanë veti shpërthimi dhe radioaktive.

Edhe komuna e Mitrovicës është e prekur nga mbeturinat  e rrezikshme. Në tunelin e parë në Mitrovicë ku bëhet përgatitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut, me ç’rast përdoret një sasi e kimikateve siç janë: Gëlqerja, Sulfati i Bakrit, Sulfati i Zinkut, Nitrati i Natriumit.

Edhe Parku Industrial Trepça në Mitrovicë përmban sasi të shumta të materieve radiokative. Në industrinë e baterive janë afro një mijë tonë kimikate, kurse mbetje të reagjentëve në industrinë e zinkut janë afro 10 tonë. Të gjitha këto mbeturina kanë veti radioaktive dhe shpërthyese.

Në Zveçan, kimikatet e magazinuara janë mbi 32 mijë kilogramë të llojeve të ndryshme si: Magnesium, Sodium Hydroxide, Soduim Nitrate. Edhe këto kimikate kanë veti shpërthyese dhe helmuese.

Leposaviqi qëndron më mirë sa i përket sasisë së materieve të rrezikshme me vetëm 6 mijë kilogramë kimikate të rrezikshme.

Në Kishnicë janë afro 20 mijë kilogramë të kimikateve të ndryshme, në këtë vend bëhet prodhimi i Koncentratit të Plumbit, Zinkut, Arit dhe Argjendit. Gjatë aktivitetit punues përdoren disa reagjentë që janë të domosdoshëm në procesin e flotimit. Hapësira ku janë të vendosura reagjentët janë jo të mjaftueshme dhe të pasigurta. Disa prej tyre janë mjaftë të rrjedhshme, andaj kërkohet të bëhet riambalazhimi me qëllim që të evitohet rrjedhja dhe pasojat e këtyre substancave në mjedis.

Në Janjevë ku është fabrika për prodhim metali “GC METAL” janë hiç më pak se 2 mijë  e 400 litra të substancave, të cilat janë të rrezikshme për tokën pasi që kanë veti rrjedhëse. Sipas raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Ambientit, vendi ku janë të deponuar këto mbeturina të rrezikshme nuk i plotëson kushtet adekuate për ruajtje të sigurtë.

Edhe Komuna e Dragashit ka sasi të konsiderueshme të mbeturinave të rrezikshme, në fabrika e tekstilit “SHARRTEX”, janë hiç më pak se 3 mijë e 300 litra të substancave me veti të rrezikshme dhe 6 mijë e 180 kilogramë substanca poashtu me veti të rrezikshme. Fabrika nuk është momentalisht në funksion. Subsancat në këtë fabrikë kanë veti shpërthyese, helmuese si dhe rrjedhëse.

Mbeturinat e rrezikshme të grumbulluara dhe magazinuara në Komunën e Pejës, në “Swiss General Group Shpk”- ish Kombinati i Lëkurës, janë hiç më pak se 730 kilogramë substanca me veti të rrezikshme, të gjitha këto substanca kanë veti shpërthyese.

Ndërsa, në ndërmarrjen e Re (ish Fabrika e Baterive Industriale Trepça)- Pejë, janë 20 mijë e 300 kilogramë substanca më veti të shpërthyese, radioaktive dhe helmuese. Masat e sigurisë në fabrikë janë të mira. Objekti posedon aparatura të zjarrëfikjes, pikat e hidrantëve dhe sistem të alarmit. Anipse janë me defekte, këto pajisje mund të riparohen për funksion.

Edhe në fabrikën “Euro Steel” (Ish Kosova Steel) – Pejë, në këtë ish-ndërmarrje bëhej prodhimi i pjesëve këmbyese për automjete. Nga aktiviteti i mëhershëm në këtë ish ndërmarrje kanë mbetur një sasi e madhe e materieve kimike si mbeturinë. Në ambientet e jashtme të objektit gjendet një sasi e madhe e skrapit dhe mbeturinave tjera të këtij lloji. Mbeturinat e rrezikshme në këtë objekt vazhdimisht monitorohen dhe inspektohen nga inspektorët e MMPH, si dhe nga FSK dhe KFOR-i.

Fabrika ‘Metaliku; në Gjakovë dikur prodhonte litar dhe gypa të çelikut me një rëndësi të madhe ekonomike për vendin. Që pas periudhës 1999, kjo fabrikë është jashtë funksionit. Gjendja aktuale e mbeturinave të rrezikshme është mjaftë e keqe dhe jo të ruajtura sipas standardeve të kërkuara. Amballazha e këtyre kimikateve është mjaftë e dëmtuar çka ka mundësuar përzierjen e tyre ndërmjet veti, duke paraqitur një rrezik potencial për mjedisin përreth.

Edhe në fabrikën ‘Emin Duraku i Ri-Devolli Corporation’ në Gjakovë (ish fabrika e prodhimit të tekstilit Emin Duraku), gjenden sasi të konsideruara të materieve të rrezikshme.

Substanca kimike në gjendje të ngurtë gjenden mbi 3 mijë kilogramë, ndërsa në gjendje të lëngët gjenden mbi 2 mijë e 200 litra.

Pas ndërprerjes së prodhimit, mbeturinat  e rrezikshme të cilat janë të vendosura në dy magazina të vjetra dhe në gjendje jo të mirë.

Sipas raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, kimikatet janë të vendosura në vendin i cili është jashtë çdo standardi, me ambalazhe të korroduara, të hapura dhe në disa raste janë të derdhura në dysheme të objektit.

Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, trajtimi i mbeturinave të rrezikshme duhet të vendoset si prioritet i institucioneve përgjegjëse kompetente dhe e zotëresueve të tyre. Kjo agjenci apelon të vazhdohet me kompletimin e bazës ligjore për mbeturina të rrezikshme industriale dhe të bëhet zbatimi efikas i ligjeve në sektorin e mbeturinave dhe atë të kimikateve, si dhe të hartohen dhe miratohen strategji dhe plane veprimi specifike për mbeturinat e rrezikshme industriale.

Ndërsa Pripyat dikur kishte rreth 50.000 banorë, por u shuan për shkak të aksidentit vdekjeprurës të centralit bërthamor të Çernobilit. Grimcat radioaktive nga zjarri, era i shpërndau në një zonë të gjerë. Ukrainë, Bjellorusi, Rusi. Pastaj, Skandinavi, Britani dhe pjesët e tjera të Evropës. Ndërsa era ndryshonte drejtimin, kështu bënte edhe rrezatimi.

Sot e kësaj dite nga Pripyata kanë ikur të gjithë banorët. Vetëm objekte të jetës së tyre kanë mbeten prapa. /Gazeta Sinjali/