image Kosova dhe Serbia ‘vende të sigurta’ për njerëzit që ndiqen penalisht

Drejtësi

Kosova dhe Serbia ‘vende të sigurta’ për njerëzit që ndiqen penalisht

news image

Në Kosovë dhe në Serbi ka mjaft persona, të cilët janë strehuar për t’iu shmangur ndjekjeve penale ose dënimeve për vepra penale, të cilat i kanë kryer në vendet përkatëse, thotë Bojana Pavlloviq nga Rrjeti për hulumtim të kriminalitetit dhe korrupsionit në Serbi – KRIK.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, por ajo nuk ka evidenca të personave që janë në Kosovë dhe që i janë shmangur ndjekjes penale apo vuajtjes së dënimit në shtetet ku i kanë kryer veprat penale.

Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra tjetrën dhe për rrjedhojë, sipas tyre, mungon edhe bashkëpunimi i ndërsjellë gjyqësor dhe personat që ndiqen penalisht, ose për vuajtje të dënimit për vepra penale në Kosovë, strehohen në Serbi dhe anasjelltas.

MD: Personat që fshihen në Kosovë dhe nga Kosova

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a ka në Kosovë persona të ndjekur penalisht nga vendet e tjera dhe të cilët janë fshehur ose strehuar në Kosovë, për t’i ikur ligjit në vendet përkatëse, ka thënë se “ka mjaft të tillë”.

Po, ka shumë të tillë, madje për vepra të rënda penale, por numrin e saktë të tyre Ministria e Drejtësisë nuk e posedon. Sidoqoftë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka statistika dhe informacion për këtë çështje si dhe identitetin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Poashtu kjo ministri ka konfirmuar se ka edhe mjaft persona të Kosovës, të cilët i janë shmangur ndjekjes penale dhe vuajtjes së dënimit për veprat penale në vend dhe që janë strehuar në shtete të ndryshme të botës.

Po ka raste të tilla, por Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk e din vendndodhjen e tyre, pasi që nëse ka informata të sigurta për vendin ku gjenden, të njëjtat ja transmeton prokurorit ose gjyqtarit të çështjes dhe e njofton për mënyrën e procedimit me rastin. Sidoqoftë, për zbulimin e vendit ku qëndrojnë, është kompetente Policia e Kosovës, pasi kjo është çështje operacionale”, ka thënë Ministria e Drejtësisë.

Pavlloviq: Afaristët e ndjekur penalisht janë strehuar në Serbi

Gazetarja e Rrjetit për hulumtim të kriminalitetit dhe korrupsionit (KRIK), Bojana Pavlloviq ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia janë “vende të sigurta” për njerëzit që ndiqen penalisht, ose që tashmë janë dënuar për ndonjë vepër penale.

“Kemi qenë dëshmitarë që shumë njerëz ishin arrestuar në Kosovë për vepra penale, për të cilat janë kërkuar në Serbi dhe anasjelltas”, tha Pavlloviq, duke shtuar se KRIK është marrë me çështjet e Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, “të cilët këtu te ne (Serbi) tashmë janë afaristë të njohur, që janë në punë me shtetin, ndërkaq që kundër tyre janë ngritur procedura të shumta penale”.

Milan Radoiçiq është afarist nga veriu i Kosovës dhe nënkryetar i Listës Serbe, të cilin autoritetet e Kosovës e ndërlidhin me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Ndaj tij ishte shpallur fletëarresti në vitin 2019, por ai gjendej në Serbi dhe nuk mund të procedohej.

Ndërkohë, fletëarresti për Milan Radoiçiqin është tërhequr, pa ndonjë sqarim, në mars të vitit 2021.

Ndaj Milan Radoiçiqit, në vitin 2011 ishte ngritur akuza edhe në Serbi, për shkak të përvetësimit të 32 kamionëve të Hipo Alpe Adria Lizing. Me këtë akuzë ishte përfshirë edhe afaristi nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, por që të dy janë janë liruar nga akuzat me vendim të plotfuqishëm, në vitin 2016.

Edhe Zvonko Veselinoviq, në Kosovë, ndërlidhet me vrasjet e Olliver Ivanoviqit.

“Konsensusi dhe mbrojtja për njerëzit e caktuar”

Bojana Pavloviqë nga KRIK, konsideron që organet e gjyqësorit të Kosovës “nuk kanë vullnet të mjaftueshëm që ata dy (Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin) t’i arrestojnë dhe t’i vazhdojnë procedurat penale kundër tyre.

Ajo çfarë di është se Milan Radoiçiq, në muajt e fundit, gjendej në Kosovë, por marrë parasysh që ndaj tij është tërhequr fletëarresti, statusi i tij në lëndën Oliver Ivanoviq është krejtësisht i pasigurt dhe i paqartë. Në anën tjetër, kundër Zvonko Veselinoviqit vazhdon procedura penale, ndërkaq që ai ka shkuar se atje (në Kosovë) disa herë dhe asgjë nuk ka ndodhur”, tha Pavloviq.

Ajo vlerëson që përveç faktit që Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë, “ekziston konsensusi dhe mbrojtja për disa njerëz të caktuar”.

Ekziston edhe shembulli i Radomir Llabanit, i cili në Kosovë është që nga viti 2011, kur autoritetet kompetente në Serbi e kërkuan, sepse ai ishte dënuar me gjashtë vjet burg në atë vend për pranimin dhe dhënien e ryshfetit, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe falsifikimin e dokumenteve.

Që nga viti 2018, Llaban ka qenë gjithashtu gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte një nga kandidatët me numrin më të madh të pikëve dhe kishte mbështetjen e Listës Serbe.

Për Bojana Pavloviqin nga KRIK-u, është “e pabesueshme” që Llaban u zgjodh gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përderisa në Serbi është i dënuar. Ajo thekson se në fakt kontaktet e tij të ngushta, çuan në zgjedhjen e tij në atë pozitë.

Kjo nuk është për habi, por është e pabesueshme se si para qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës, kompetentët tanë po kanë sukses që t’i arsyetojnë veprimet e këtilla”, theksoi Pavlloviq.

Ministria e Drejtësisë “nuk mund të flasë për raste konkrete”

Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës e pyetur nëse ka pasur eventualisht ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë ose tjetër nga ana e Serbisë ndaj Kosovës për dorëzimin e Radomir Llabanit tek autoritetet serbe, kjo ishte përgjigja e tyre.

Sipas kësaj ministrie, “në të kaluarën ka pasur shtetas serb (të cilët nuk e kanë pasur edhe shtetësinë e Kosovës), që janë arrestuar në Kosovë, sipas urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Serbia, për vepra të rënda penale”, mirëpo të njëjtit janë dëbuar nga territori i Kosovës, “pasi që organet kompetente kanë konstatuar se të njëjtit kanë qëndruar në Republikën e Kosovës në kundërshtim me ligjin, andaj nuk ka pasur nevojë për dërgim të kërkesës për ekstradim”.

Për shkak të konfidencialitetit të kërkesave, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk mund të flas për raste konkrete, por mund të ju njoftoj se sipas nenit 35, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shtetasit e Republikës së Kosovës nuk mund të ekstradohen nga Kosova kundër vullnetit të tyre, me përjashtim të rasteve kur me ligj dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përcaktuar ndryshe”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ajo ka shtuar se Kosova ka marrëveshjet ndërkombëtare për ekstradim me Republikën e Shqipërisë dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pra, në asnjë shtet tjetër përveç dy të sipërcituarave shtetasit kosovar (edhe nëse ka shtetësi te Kosovës dhe të një shteti tjetër), nuk mund të ekstradohen kundër vullnetit të tyre”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së drejtësisë.

Shtyhet dënimi me burg i Todosijeviqit, sepse ai është “jashtë vendit”

Të mërkurën, më 6 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pranuar kërkesa e avokatit Nebojsha Vlajiq për të zgjatur afatin për mbajtjen e dënimit me burg për Ivan Todosijeviqin, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, me arsyetimin “sepse gjendet jashtë vendit”.

Lista serbe është parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila është formuar në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërkaq që Todosijeviq, përveç se është deputet në Kuvendin e Kosovës, ai kryen edhe funksionin e Organit të përkohshëm komunal të Zveçanit, në veri të Kosovës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë dhe konsiderohet si strukturë paralele nga autoritetet e Kosovës.

Kur ishte dashur që Todosijeviq të fillonte me vuajtjen e dënimit me burg?

Më 24 gusht, Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak të deklaratës së tij, përmes të cilës mohoi masakrën ndaj shqiptarëve në Reçak, në vitin 1999, të cilën e kryen forcat serbe. Todosijeviq është dashur që më 6 tetor të lajmërohej për të vuajtur dënimin.

Por, avokati i tij Nebojsha Vlajiq tani deklaron se Todosijeviq nuk ka marrë fare ftesë për ta vuajtur këtë dënim edhe pse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, më 24 shtator, konfirmoi të kundërtën.

Ftesa për Ivan Todosijeviqin që të lajmërohet, është dërguar më 6 tetor, dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Prishtinë. A e shihni se çfarë po provon të bëj Albin Kurti (kryeministër i Kosovës), për një grusht votash, nxitë krizë në veri të Kosovës, po përpiqet që ta arrestojë Ivan Todosijeviqin”, ka thënë Petkoviq.

Ku gjendet Ivan Todosijeviq?

Autoritetet serbe, në krye me presidentin Aleksandar Vuçiq, konsiderojnë që Todosijeviq “është dënuar padrejtësisht vetëm pse e ka thënë të vërtetën”.

Më 25 gusht, Vuçiqi, në një video-regjistrim të publikuar në profilin e Instagramit “budućnostsrbije” (ardhmëria e Serbisë), ka vlerësuar që Todosijeviqin “e kanë dënuar gjyqtarët shqiptarë, ndonëse sipas Marrëveshjes së Brukselit, kanë qenë të detyruar që t’a gjykojnë dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar”.

Asokohe ai u pati bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar për dhe rreth Todosijeviqit, “ashtu siç ne në Serbinë qendrore do të jemi pranë tij, familjes së tij dhe pranë gjithë popullit serb në Kosovë”, kishte porositur presidenti i Serbisë.

Avokati nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me vendndodhjen e klientit të tij, do të thotë, nëse ai është në Kosovë apo Serbi.

Nuk mund t’ju them këtë, mos më pyetni fare diçka të tillë”, ka thënë Vlajiq.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë thënë se nuk mund të flasin lidhur me atë se cilat do të jenë pasojat ndaj Todosijeviqit, në qoftë se ai nuk lajmërohet fare për vuajtjen e dënimit, sepse “në rastin konkret, do të mund të hidhej poshtë procedura për ekzekutimin e dënimit penal”.

Për çfarë saktësisht është dënuar Todosijeviq?

Ivan Todosijeviq u dënua për shkak të deklaratës se “shkasi për agresionin kundër vendit tonë ishte e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë, Reçaku i trilluar”.

Në mars të vitit 2019, në Zveçan, në përkujtimin e 20 vjetorit të bombardimit të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, ai tha se “ishin këta terroristë shiptari (term pezhorativ për shqiptarët) ata që e shpikën gjithë këtë, që kryen krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat, deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, ata vranë nikoqirë dhe policë të mirë serbë në vendin e tyre të punës. Festën e tyre të përgjakshme e vazhduan gjatë agresionit dhe pas mbërritjes së të ashtuquajturit Mision paqeruajtës në Kosovë”.

NATO-ja kishte nisur aksionin e sulmeve ajrore ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, me qëllim të parandalimit të dhunës nga ushtria, policia dhe forcat paraushtarake serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Kësaj i kishte paraprirë masakra e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se Kosova ka rreth 28 marrëveshje në fuqi për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, “ndërsa kur nuk ka marrëveshje në fuqi, bashkëpunimi bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit”. Ky bashkëpunim sipas kësaj ministrie është i shkëlqyeshëm, madje edhe me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. /GazetaSinjali/