image Kosova dhe Maqedonia e Veriut po përgatisin ligjin për kriptovalutat

Financa

Kosova dhe Maqedonia e Veriut po përgatisin ligjin për kriptovalutat

news image

Kosova tashmë më shumë se një vit po paralajmëron një ligj për rregullimin e tregut dhe veprimtarisë të kriptovalutave. Megjithatë, deri tani, një version zyrtar nuk ka arritur në Kuvend.

Përkundër mungesës së ligjit, Ministri i Financave Hekuran Murati u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin fitimet nga kriptovalutat për taksim. Ai tha se do të aplikohet tatim prej rreth 10% nga fitimi total.

“Nëse dikush ka investuar në kriptovaluta 10 mijë euro në vlerë dhe pas një kohe është rritur vlera e tyre dhe i ka shitur kriptovalutat për 20 mijë euro, atëherë fitimi do të ishte 10 mijë dhe ky fitim kapital do të duhej të deklarohej në formular”, tha Murati.

Përgatitjen e një ligji të tillë e paralajmëron edhe Maqedonia e Veriut. Ministri i Financave në Qeverinë e Shkupit, Fatmir Besimi, tha se do të duhet të rregullohet kjo sferë, sidomos nga prizmi i parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Shfrytëzimi i mjeteve virtuale me vlerë të njohura si “kriptovaluta” do të rregullohet me ligj. Aktualisht, Ministria e Financave, së bashku me Njësinë e inteligjencës financiare, si dhe rregullatorët dhe supervizorët financiarë po punojnë për t’i përcaktuar të gjitha aspektet që dalin nga ky fenomen i ri”, deklaroi Fatmir Besimi.

Gërmimi i kriptovalutave është proces që shpenzon nivele marramendëse të energjisë elektrike, ndërsa konsumi i energjisë për këtë qëllim po rritet çdo vit. Një studim i përgatitur nga Cambridge University tregon se vetëm gërmimi i Bitcoin globalisht shpenzon më shumë energji se sa shtete të tëra si Argjentina, Holanda apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithëse vendet e Ballkanit bashkë nuk përbëjnë as 0.1% në prodhimin e përgjithshëm të Bitcoinit, megjithatë gërmimi po lë gjurmë në krizën energjetike edhe në Ballkanin Perëndimor.

/GazetaSinjali/