image Kosnett kujton 11 shtatorin, thotë se atë ditë u sulmua civilizimi

Kosovë

Kosnett kujton 11 shtatorin, thotë se atë ditë u sulmua civilizimi

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

Kosnett ka thënë se sulmet e ndodhura 18 vjet më parë kanë ndikuar në gjithë komunitetin ndërkombëtar, pasi që amerikanët nuk kanë qenë viktimat e vetme në ato sulme.

Njerëz nga 77 shtete kanë vdekur në sulme. Ky ka qenë sulm mbi civilizimin”, ka thënë ai.

Ambasadori Kosnett tutje ka thënë se populli amerikan do të kujtojë gjithmonë mbështetjen që ka pranuar nga gjithë bota përfshirë edhe Kosovën.

“Pas sulmit, në gjithë Kosovën njerëzit janë mbledhur në përkrahje të SHBA-së, kanë ndezur qirinj dhe kanë dhuruar gjak. Disa qytetarë të Kosovës edhe kanë qenë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë amerikane në Luftën Globale kundër Terrorizmit”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Kosnett ka thënë se kjo mbështetje ka qenë konfirmim i lidhjes së fortë në mes Amerikës dhe popullit të Kosovës.

Ndërkohë, në përkujtim të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, gjatë ditës në Prishtinë në oborrin e Qeverisë së Kosovës është përuruar memoriali “Kosova kujton”.

Me këtë rast kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “akti terrorist në Nju Jork të SHBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne”.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Kullat Binjake në Nju Jork kishin lënë të vdekur rreth 3,000 persona.

Ky sulm është kryer nga një grup prej 19 islamistëve radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Militantët e Al-Kaidës kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.