Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i ka shprehur ngushëllime familjes Kraja për vdekjen e regjisores kosovare Arzana Kraja.
Kosnett përmes rrjetit social Twitter, ka thënë se një talente e mirë ka ikur para kohe, transmeton Gazeta Sinjali.
“Një talente e mirë na ka lënë para kohe. I pikëlluar me vdekjen e Arzana Krajës. Në emrin tim, të Alison dhe të Ambasadës së SHBA-së, shprehim ngushëllimet për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik në Kosovë”, ka shkruar ai.
Regjisorja e njohur kosovare u gjet mëngjesin e djeshëm pa shenja jete në banesën e saj dhe ende nuk dihen shkaqet e vdekjes.
Familja Kraja, ka njoftuar se varrimi i Arzanës do të bëhet sot në orën 14:00 në varrezat e lagjes “Dragodan”, në Prishtinë./Gazeta Sinjali/