Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, ka folur për pandeminë dhe vitin 2020 në përgjithësi, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai së pari ka përçuar mesazhe shprese dhe dashurie për të gjithë njerëzit në këto ditë festash të fundvitit që sivjet në të gjithë botën festohen më ndryshe se që njeh tradita dhe historia.
“Së pari, më lejoni t’ju falënderoj dhe të shpreh urimet e mia për Krishtlindje atyre që festojnë festën dhe t’i uroj të gjithëve një Vit të Ri të sigurt dhe paqësor. Këtë vit familja ime, si shumë familje në të gjithë botën, nuk do të jenë në gjendje të mblidhen së bashku fizikisht për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të udhëtimit. Na vjen keq për këtë, por si familje diplomatike jemi mësuar që herë pas here të mos jemi bashkë fizikisht me të dashurit tanë. Kështu që gruaja ime Alison dhe unë do të bashkohemi me anëtarët e tjerë të familjes përmes magjisë së video konferencës. Të mos qenurit bashkë tani është një çmim që ia vlen të paguash për të ndihmuar kontrollin e virusi”, shprehet ai.
Ambasadori Kosnett shprehet falënderues dhe mirënjohës për shëndetin e tij, familjarëve dhe miqve.
“Jam mirë, faleminderit. Jam mirënjohës për shëndetin e mirë, familjen e ngushtë, miqtë e mirë dhe kolegët e besueshëm dhe për mundësinë për të shërbyer. Amerikanët gjithmonë ndihen të mirëpritur dhe si në shtëpinë e tyre në Kosovë. Kurdoherë që filloj të ndjehem i kufizuar i kujtoj vetes se jam në një pozitë më të mirë se shumica e miliarda njerëzve në planet. Të gjithë duhet të mendojmë më pak se si po na prek pandemia dhe më shumë se si mund të punojmë kolektivisht për ta kaluar atë. Sinqerisht, unë irritohem më së shumti kur shoh njerëz që injorojnë hapat e thjeshtë që mund të ndërmarrin për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre, si bartja e maskave dhe larja e duarve, shmangia e tubimeve të mëdha dhe mbajtja e distancës shoqërore. Disa kundërmasa janë të shtrenjta. Maskat dhe sapuni nuk janë”, thotë Ambasadori.
Tutje, Kosnett shprehet se pandemia e ka ndryshuar dinamikën e jetës dhe që shumica e takimeve bëhen përmes konferencave. Kurse, gjëja që i mungon më së shumti është kontakti njerëzor.
Por, amabasadori shprehet i zemëruar si me njerëzit në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë, që po e mohojnë realitetin shkencor.
“Po, zemërohem kur shoh njerëz, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë, duke e mohuar realitetin shkencor, duke mohuar këshillat mjekësore dhe duke rrezikuar veten, si dhe familjet dhe miqtë e tyre, duke refuzuar të marrin masa kundër virusit. Amerikanët dhe kosovarët kanë shumë të përbashkëta, përfshirë faktin që ne jemi të fortë dhe të qëndrueshëm. Shumë prej nesh nuk duan të duken sikur kanë frikë nga virusi. Ne nuk duhet të kemi frikë, por duhet ta luftojmë atë me mjetet që kemi në dispozicion. Mos u përpiq të jesh vetëm i fortë – bëhu i zgjuar.”, shton Kosnett.
Ambasadori, është shprehur i mahnitur nga përkushtimi i punonjësve shëndetësorë
“Jam mahnitur nga trimëria dhe përkushtimi i punonjësve shëndetësorë dhe të tjerëve që kanë rrezikuar aq shumë për të na mbajtur të sigurt. Mësuesit që kanë gjetur mënyra, që me ndihmën e bizneseve dhe qeverisë, të vazhdojnë edukimin e fëmijëve. Shkencëtarët në SHBA dhe gjetkë të cilët kanë zhvilluar vaksina në kohë rekord. 2020 ka qenë një vit tragjedie. Le ta bëjmë vitin 2021 një vit të shpresës”, thotë ai në fund.