Posta e Kosovës rrezikon të mbes pa të hyra për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Gazeta Sinjali ka siguruar një dokument ku Posta e Kosovës i kërkon qeverisë që t’ua japë 600 mijë euro subvencion nga fondi i paraparë për parandalimin e Covid-19, pasi që të hyrat në këtë ndërmarrje për shkak të izolimit të qytetarëve dhe mbylljeve të disa bizneseve, kanë rënë për 90% krahasuar me dy muajt e parë të këtij viti.
Në kërkesën e Postës së Kosovës, thuhet se kompensimi prej 600 mijë eurove do të ekzekutohen në pagat e punëtorëve për muajin mars, të cilët tashmë janë të prekur nga masat e kufizuara afariste.
“Posta e Kosovës duke zbatuar detyrueshëm masat e emergjencës kombëtare të shpalluara nga vendimet e qeverisë së Kosovës, si dhe duke qenë se të hyrat e saj i krijon direkt nga shërbimet postare ditore, pagesat ditore të IFJB-sëm shitjet ditore të produkteve të TK SH.A., vërehet dukshëm se nga data 13 mars 2020, këto të hyra të Postës së Kosovës nga afarizmi i saj ditor kanë rënë ndjeshëm, përsërisim për të theksuar, në masën prej 90%”, thuhet në kërkesën e kryeshefit ekzekutiv të Postës, Shefqet Avdija.
Ndërkaq, ministrjaa e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, përmes një urdhërese të lëshuar me 17 mars 2020, kishte obliguar Ndërmarrjen Publike Qendrore, “Posta e Kosovës SH.A”, që të kryej shërbimet postare gjatë emergjencës pandemike në të gjitha pikat qendrore të Kosovës. /Gazeta Sinjali/