Disa qytetarë japonezë sot u zgjuan me zhurmën e sirenave dhe një alarmi të rrallë që u lëshua nga hedhja e një rakete balistike nga Koreja e Veriut.
Atyre iu shkoi një mesazh që iu kërkoi të evakuohen dhe të ruhen nga copat që mund të binin nga raketa e lëshuar nga koreano-veriorët.
“Koreja e Veriut duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutemi evakuoni në ndërtesa ose nëntokë”, ishte sinjalizimi me tekst që morën qytetarët në veri të Japonisë, duke përfshirë ishullin Hokkaido.
Koreja e Veriut sot ka lëshuar një raketë të dyshimtë mbi Japoni, e cila duket se është një përshkallëzim i qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e Tokios dhe Washingtonit.
Raketa balistike udhëtoi rreth 4,500 km përpara se të binte në Oqeanin Paqësor – aq larg sa për të goditur ishullin amerikan të Guam në rast se do të merrte një trajektore tjetër.
Zyrtarët më vonë thanë se raketa balistike me rreze të mesme veprimi ra në Oqeanin Paqësor larg Japonisë dhe nuk raportohet për të lënduar.
Kjo raketë kishte distancën më të gjatë të përshkuar ndonjëherë nga një raketë e Koresë së Veriut dhe arriti një lartësi prej rreth 1000 km – më e lartë se Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, e cilësoi këtë si “sjellje të dhunshme”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se Japonia nuk do të përjashtonte asnjë opsion për të forcuar mbrojtjen e saj duke përfshirë edhe mundësitë kundërsulmuese.
OKB-ja e ndalon Korenë e Veriut të testojë armë balistike dhe bërthamore. Fluturimi i raketave drejt ose mbi vende të tjera pa ndonjë paralajmërim ose konsultim paraprak është gjithashtu në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
Shumica e vendeve e shmangin atë plotësisht pasi mund të ngatërrohet lehtësisht si një sulm. Edhe pse nuk ishte aq e madhe sa një test bërthamor – i cili mund të jetë i radhës – mund të konsiderohet jashtëzakonisht provokuese.