Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave tha se pas shpalljes së gjendjes jo të rëndomtë në Parkun Nacional “ Bjeshkët e Nemuna” , tha se kjo agjenci ka vendosur të gjithë kapacitetin e saj në veprim qoftë përmes koordinimit qoftë përmes menaxhimit.
Tutje, ai tha se sot është dhënë urdhri që të ngritët Qendra Operative që nënkupton se Agjencia pë Menaxhimin e Emergjencave të bëhet operacionale 24 orë në 7 ditë të javës.
“Me raportin e fundit të ditës së sotme kemi ardhur në përfundim se janë aktive 10 vatra zjarri, por deri në orën 16:00 kanë qenë rreth 50 vatra zjarri por që janë lokalizuar dhe kanë qenë të përmasave më të vogla”, është shprehur Koqina në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, Koqina tha se rajoni më i goditur nga zjarret është ai i Pejës e sidomos Parku Nacional “Bjeshkët e Nemuna” ku pas dy herë që është konstatuar si rrezik i shuar, ai është riaktivizuar.
“Në viset e larta dhe në pjesët ku ka pasur akumulim i mbetjeve të fidaneve, aty krijohet një shtresë e bëgat për një zjarr të fshehur, ku për një periudhë nxjerrin vetëm tym, por më pas ai aktivizohet edhe me ndihmën e erërave”.
Ndërsa, sa i përket asaj se a ka bazë ligjore që në rast se ndonjë person e ndez ndonjë zjarr qëllimshëm, Koqina u shpreh se kjo hyn në grupin e veprave më të rënda penale.
“Zjarrvënja e qëllmishme hyn në grupin e veprave më të rënda penale. Pra, ka bazë ligjore dhe ndjekja mund të bëhet nëse mekanizmat e shtetit sinkronizohen sepse kjo dukuri është dorë e njeriut në 99 për qind të rasteve qoftë prej pakujdesisë apo sëmundjes që quhet “piroman”, por që duhet ndjekur e penalizuar”, tha Koqina /Gazeta Sinjali/