Auditori i Shtetit ka gjetur se ministria e Infrastrukturës i ka shkelur dy kontrata për mirëmbajtjen e Autostradës “Arbën Xhaferi”, duke tejkaluar shumën prej 1 milion e 369 euro.
Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu kishte nënshkruar dy kontrata për mirëmbajtjen e Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Njëra kishte të bënte me segmentin Konjuh-Doganaj dhe tjetra me pjesën e rrugës Doganaj-Hani i Elezit, shkruan Gazeta Sinjali.
Auditori i Shtetit ka gjetur se për këto dy segmente, Ministria e Infrastrukturës i ka tejkaluar pagesat e parapara për 1 milion e 369 mojë e 651 euro.
“Në dy raste kemi identifikuar se ministria ka përdorur kontratat publike kornizë me çmim për njësi dhe përkundër rregullave ka aplikuar pragun apo tavanin plus/minus tridhjetë përqind (30%). Kjo ka rezultuar me tejkalim të vlerës së këtyre kontratave për 1,369,651 euro”, zbulon Auditori, shkruan Gazeta Sinjali.
Kontrata për “Mirëmbajtje rutinore dhe dimërore e Auto Udhës “Arbën Xhaferi”, segmenti: Konjuh – Doganaj, L-32.82km” ishte nënshkruar me 11 mars 2019 me çmim për njësi 200 euro euro.
Si pasojë e aplikimit të pragut apo tavanit plus/minus tridhjetë përqind (30%), vlera e kontratës për tre vite ishte tejkaluar për 724 mijë e 375 euro.
Ndërsa, kontrata për “Mirëmbajtje rutinore dhe dimërore e Auto Udhës “Arbën Xhaferi”, segmenti: Doganaj-Hani i Elezit, L-20.07km” ishte nënshkruar me 05 qershor 2019 me çmim për njësi 81.24 euro, vlera e të cilës për tri vite ishte tejkaluar për 645 mijë e 276 euro, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo ka ndodhur si pasojë e mosfunksionimit të duhur të kontrolleve lidhur me pajtueshmërinë ligjore gjatë realizimit të kontratave me çmim për njësi.
“Mosrespektimi i dispozitave ligjore sipas llojit të kontratave ndikon në tejkalim të shpenzimeve dhe njëkohësisht sjellë vështirësi në realizimin e projekteve tjera të ministrisë”, thotë Auditori, i cili rekomandon ministrin që duhet të sigurojë përmes zyrtarëve përgjegjës kontrolle të duhura në respektimin e dispozitave ligjore, shkruan Gazeta Sinjali.