Top Channel ka siguruar detaje të reja rreth kontratës, për të cilën u raportua disa ditë më parë, mes kryeministrit Albin Kurti dhe Bailey Strategic Advisors, LLC. Megjithatë nga Qeveria nuk folën për lobim, por po thonë se Luan Dalipi e ka takuar dy herë lobistin Bailey, për të biseduar rreth sektorit të energjisë.
Mediumi shqiptar raporton se kontrata është nënshkruar më 20 shtator të këtij viti dhe kjo kompani do të angazhohet për ta përforcuar perceptimin për Kosovën tek zyrtarët amerikanë.
Siç thuhet, kontrata do të fillojë që të zbatohet më 5 dhjetor të vitit 2022 dhe e njëjta mban firmën e lobistit Roy Bailey, i afërt me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
“Kompania lobuese do të organizojë takime me zyrtarë amerikanë për të shtuar perceptimin ndaj shtetit të Kosovës me zyrtarët amerikan sipas kërkesave”, thuhet në pikën 8 të marrëveshjes.
Nga zyra e kryeministrit Albin Kurti siç duket kanë vendosur që t’i përgjigjen Top Channelit në lidhje me këtë çështje, duke mohuar kontratën.
Sidoqoftë, të njëjtit, gjithnjë sipas raportimit, kanë deklaruar se shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka pasur dy takime online me Bailey dhe bashkëpunëtorët e tij në lidhje me sektorin e energjisë.
“Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi midis z. Bailey dhe Qeverisë së Kosovës. Shefi i stafit të Kryeministrit, z. Luan Dalipi ka pasur dy takime on line me z. Bailey dhe bashkëpunëtorë të tij, njëri prej të cilëve ka qenë afarist në sektorin e energjisë. Ky grup janë interesuar vetëm për sektorin e energjisë në Kosovë, dhe z. Dalipi iu ka dërguar draft-strategjinë e energjisë, dokument që ishte bërë publik”.