Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe, duke e dënuar rëndë këtë akt, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufca ka thënë se kjo është cenim i sovranitetit dhe i sigurisë së Kosovës dhe tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.
“Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”
Konjufca gjithashtu shtoi se Serbia përkundër gatishmërisë së Kosovës nuk po është e gatshme për asnjë zgjidhje.
I njëjti kërkoi nga faktorit ndërkombëtar, veçanërisht nga BE dhe SHBA që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës dhe shtoi se e njëjta ka hedhur poshtë marrëveshjen e Ohrit.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ. Me këtë akt, Serbia në menyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”, tha Konjufca.