Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për situatën me të cilën po ballafaqohet Gjermania, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se Kosova është në mbështetje të Gjermanisë, pasi që ky vend është duke kaluar në periudhë të vështirë si pasojë e vërshimeve.
“Gjermania, vendi mik i Republikës së Kosovës, po kalon nëpër momente të vështira dhe me pasoja tragjike. Si pasojë e motit të keq, përveç përmbytjeve të mëdha gjithandej vendit, deri më tani njoftohet se kanë humbur jetën mbi 50 njerëz dhe shumë të tjerë figurojnë të zhdukur”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje ai ka thënë që shpreson se Gjermania ta kalojë me sa më pak pasoja këtë fatkeqësi.
“Në këto çaste tragjike, Kosova dhe populli i saj janë me shpirt, zemër, mendje e dhembje pranë familjeve të viktimave dhe mbarë popullit mik gjerman. Po ashtu lutemi për fatin e të zhdukurve dhe që këtë fatkeqësi natyrore shteti mik gjerman ta kalojë sa më parë dhe më sa më pak pasoja”, shtoi ai.
Deri tani janë raportuar më shumë se 80 persona kanë humbur jetën dhe qindra janë ende të zhdukur. /GazetaSinjali/