Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar masa ndaj shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, për siç tha ai, sharjet dhe mësymjen fizike ndaj shefit të stafit të tij, Ilir Kërçelit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas tij, më e pakta që Gashi mund të bëjë në këtë rast është t’i kërkojë falje Kërçelit për atë që ndodhi në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
“Do të shohim masat që do t’i marrim, edhe me masat disiplinore që i kemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me një kërkimfalje që mendoj se është më e pakta që duhet të ndodh në këtë rast”, ka deklaruar Konjufca.
Konjufca tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u ndërpre për shkak të sjelljes së papërshtatshme të deputetit Gashi.
“Mbledhja e sotme e Kryesisë me vendim timin nuk do të mbahet, për shkak të kërcënimeve të shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Arben Gashi, drejtuar stafit tim. Kjo gjuhë është e papranueshme për Kuvendin e Kosovës, shprehjet të cilat i përmendi z.Gashi në mbledhjen e Kryesisë dhe duke e mësyrë edhe fizikisht shefin e stafit tim janë të papranueshme. Këto sjellje duhet t’i luftojmë dhe të mos i pranojmë në Kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca./GazetaSinjali/