Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka vizituar Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit me rastin e 21 vjetorit të zhdukjes së tij.
Më këtë rast, Konjufca u shpreh se ai është një intelektual i përmasave europiane dhe udhërrëfyes për shqiptarët, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, Hoti është figura që i tejkalon përmasat e kohës së vet, e krahasueshme me ideologët dhe me mendimtarët themelues të kombit.
“Sot vizitova Shtëpinë Muze të veprimtarit dhe të ideologut të çështjes shqiptare Ukshin Hoti. Veprimtaria e tij atdhetare dhe mendimi i tij politik kombëtar janë udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm në rrugën e idealit të bashkimit kombëtar. Ukshin Hoti është figurë, që i tejkalon përmasat e kohës së vet, e krahasueshme me ideologët dhe me mendimtarët themelues të kombit. Dija e ideve të tij e bën atë intelektual të përmasave europiane e më gjerë. Fati i zhdukjes së tij duhet të ndriçohet, kurse kriminelët të vihen para drejtësisë”, ka shkruar ministri Konjufca në llogarinë e tij në Facebook. /GazetaSinjali/