image Konjufca në Greqi: Njohja e Kosovës, investim strategjik për të ardhmen

Politikë

Konjufca në Greqi: Njohja e Kosovës, investim strategjik për të ardhmen

news image

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur një fjalim para Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore në Greqi, ku nga atje bëri thirrje që të njihet pavarësia e Kosovës.

Mes tjerash, kryeparlamentari ka kërkuar bashkëpunim rajonal, për t’i përballuar pasojat që po shkakton lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Konjufca tha se pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka potencialin të përkeqësojë tensionet ekzistuese, në rajonin tonë, prandaj, ai tha se duhet t’u qëndrohet besnikë vlerave europiane, shkruan Gazeta Sinjali.

“Me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, ne mund të mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të kenë për synim të shkaktojnë ndryshime thelbësore në rendin ndërkombëtar“, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

Ai po ashtu tha në foltore se rajoni mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, duke përparuar në procesin e anëtarësimit në BE.

Konjufca tutje shtoi se “mbështetja e të gjithëve, e paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët”.

“Prandaj dëshirojmë t’ju ftojmë ju dhe qeverinë tuaj që të mbështetni përpjekjet e Kosovës për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”, tha Konjufca.

Konjufca gjithashtu tha disa fjalë edhe për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, duke e cilësuar si shkatërrues për popullin ukrainas dhe me një kosto të lartë për njerëzit, ekonomitë dhe marrëdhëniet.

Për t’i bërë ballë këtyre sfidave, Konjufca tha se duhet punuar së bashku.

Konjufca foli edhe për kontributin e dhënë ndaj Ukrainës pas nisjes së agresionit rus.

Republika e Kosovës ka qenë aleate dhe partnere e BE-së dhe e Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 afganë të evakuuar, duke treguar solidaritet me refugjatët dhe përkushtimin afatgjatë të Kosovës ndaj NATO-s. Për më tepër, rreshtimi i Kosovës me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet kundër Rusisë dhe gatishmëria e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas dhe për të ofruar kushte jetese dhe pune për 20 gazetarë është edhe një herë shenjë e rreshtimit të politikës së jashtme dhe përkushtimit ndaj integrimit në BE, standardeve dhe vlerave“, tha Konjufca.

Kryeparlamentari shpalosi edhe ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian.

E ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, prandaj preferojmë të ndjekim një rrugë të qartë dhe të ecim përpara. Megjithatë, Kosova po përballet me një sfidë tjetër. Ne jemi i vetmi vend në rajon, ku qytetarët tanë ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Evropë. Që nga viti 2018, Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të udhëtuar pa viza, dhe Parlamenti Evropian dy herë ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave përmes rezolutave të miratuara nga shumica dërrmuese. Edhe pas kaq vitesh që i kemi përmbushur gjitha kërkesat, ne ende nuk e shohim dritën në fund të tunelit“, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/