Ministri i Puëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca i ka dhënë mirënjohje verbale ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut, të cilës ia kërkoi largimin nga posti i ambasadores para një jave.
Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Konjufca i ka dhënë mirënjohje të veçantë Çitakut për mënyrën sesi ajo e ka pranuar vendimin për të mos qenë më ambasadore e Kosovës në SHBA. Kjo çështje ka bërë që anëtari i LDK-së në këtë komision, Arben Gashi të thotë se Konjufca nuk ka nevojë t’i shpreh mirënjohje të veçantë Çitakut dhe ambasadorëve të tjerë për shkak se ata e kanë për detyrë të kthehen kur vendos ministri, shkruan Gazeta Sinjali.
“Desha t’ia jap një mirënjohje të veçantë abasadores tonë në Washington, zonjës Vlora Çitakut. Pse po dua që ta ndajë një mirënjohje për të në këtë komision? Për arsye se ajo e ka lexu frymën e ligjit qashtu qysh po e shpjegoj”, ka thënë Konjufca.
“E ka për detyrë”, i ka thënë Konjufcës Gashi i LDK-së.
“E ka detyrë, por është e vetmja që ka deklaru që do të kthehet dhe nuk do të hyjë në kurrfarë beteje në mes të kryeministrit dhe presidentit”, ka qenë përgjigja e Konjufcës.
Gashi: Ajo që ju thatë që i çoni kredite zonjës Çitaku është e paarsyeshme…
Konjufca: Mos ma keqkuptove qata. Ajo e ka për detyrë me na ndihmu, dhe kur thotë të kthehet, na ndihmon.
Gashi: Po ajo dihet. Pse duhet të jetë lajm që një diplomat e ka respektu ligjin?
Konjufca: Mundet me kundërshtu…
Gashi: Le t’kundërshton sa t’dojë. E ka për detyrë.
Konjufca ka arsyetuar vendimin për t’i shkarkuar ambasadorët e emëruar politikë, derisa ka thënë se nëse presidenti Hashim Thaçi e kundërshton në këtë proces, do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. /Gazeta Sinjali/