image Konjufca kërkon nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Politikë

Konjufca kërkon nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

news image

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti deputetin David Lammy, njëherësh Sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar.

Kuvendi njofton se në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe u shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.

Kryetari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, teksa u shpreh mirënjohës për rolin e saj të veçantë në çlirimin, pavarësinë, shtetndërtimin dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se kryeparlamentari kërkoi nga Mbretëria e Bashkuar përkrahje të mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, duke përfshirë fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit dhe deputeti britanik David Lammy ritheksuan përkushtimin për vazhdimin e partneritetit të fuqishëm dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, njofton Kuvendi i Kosovës.

/GazetaSinjali/