image Konjufca e komenton deklaratën e Kurtit kur kishte thënë se shumica krijon qeverinë

Kosovë

Deklaratë/ Konjufca e komenton deklaratën e Kurtit kur kishte thënë se shumica krijon qeverinë

news image

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca e ka komentuar një deklaratë të kryeministrit gjithashtu në detyrë, Albin Kurti, i cili në vitin 2014 kërkonte që shumica parlamentare të kishte përparësinë të krijonte qeverinë, e jo partia fituese.

Në atë kohë Partia Demokratike e Kosovës, kishte fituar zgjedhjet, ndërsa partitë tjera kishin krijuar një bllok të quajtur VLAN. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që partia fituese të kishte mundësinë që të krijonte qeverinë.

‘’E kam thënë disa herë. Meqenëse opinioni i Kushtetutës është ashtu siç është, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të dalim të parët. Kështu pata thënë. Nuk ka asnjë kundërthënie. Vendimi i Kushtetutës na detyroi të fitojmë zgjedhjet’’, thotë ai.

‘’Mirëpo tash që kemi fituar, ata po dëshirojnë të interpretojnë ndryshe Kushtetutën. Por, ne ju kemi futur zgjedhjeve duke ditur rregullat politike. Kemi qenë të parët, e kam thënë disa herë, nuk ka kundërthënie këtu’’, shtoi ai.

Tutje ai thotë se presidenti Hashim Thaçi po bie në kundërthënie me vetën.

‘’Pasi ra Qeveria Haradinaj, Thaçi ftoi Kadri Veselin, i cili ishte udhëheqës i koalicionit fitues, nëse dëshironte të kishte edhe një mandatar. Pasi ai refuzoi, shpalli zgjedhjet. Thaçi nuk mund të bëhet kuazimonark, siç dëshiron ai. Rregullat janë të qarta, duhet të respektohet Kushtetuta dhe të shpallen zgjedhjet pas pandemisë’’, ka deklaruar Konjufca.

Pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars me mocion të mosbesimit, gjatë ditës së sotme presidenti Thaçi ka zhvilluar takime konsultative me Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës./Gazeta Sinjali/