image Konjufca del nga Prokuroria: Thaçi dhe Veseli duan ta largojnë LVV-në nga skena politike

Kosovë

Deklarata/ Konjufca del nga Prokuroria: Thaçi dhe Veseli duan ta largojnë LVV-në nga skena politike

news image

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pasi është ftuar për intervistim në lidhje me kallëzimin penal që ai dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e kishin ngritur kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Konjufca tha se me deklaratat e tyre, Thaçi dhe Veseli kanë synuar që ta lidhin LVV-në me terrorizëm dhe me vrasjet gjatë luftës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kanë deklaruar se jemi themelues të organizatës “Syri i Popullit” dhe që kemi shkruar komunikata të UÇK-së që lidhen me vrasjet gjatë luftës në Kosovë si dhe me vrasjet e pasluftës në Kosovë. Këto janë pretendimet e Thaçit dhe Veselit që të lidhin Vetëvendosjen me terrorizmin me vrasjet e luftës në kohën e luftës tonë çlirimtare por edhe gjatë vitit 2000. Kjo është e papranueshme për ne dhe kjo është arsyeja pse kemi paditur Thaçin dhe Veselin se kanë bërë deklarimet të rrejshme nën betim”, ka thënë Konjufca.

Qëllimi i këtyre akuzave, sipas Konjufcës ka qenë se Thaçi dhe Veseli kanë dashur që LVV-në ta nxjerrin nga skena politike duke e bërë terroriste.

“Ata kanë synim politik që duke e konsideruar VV-në si kundërshtar politik të bëjnë këso mveshje të veprave të rënda penale përmes deklarimeve të rrejshme me qëllim që ta diskualifikojnë nga skena politike Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe mua”, ka thënë ai.

Konjufca e sheh si lajm të mirë ftesën për intervistim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Nuk e di pse por është një lajm i mirë më në fund që prokuroria po aktivizohet dhe që në Kosovë nuk mund të presim vite të tëra kur janë në pyetje zyrtarët e shtetit, të cilët me deklaratat e tyre kanë treguar edhe dirigjues të institucioneve të drejtësisë”.

Përveç tjerash, Konjufca ka cituar një deklaratë të presidentit Thaçi lidhur me këtë rast.

“Paramendojeni kur në një deklaratë Thaçi thotë që “unë e zgjeroj aktakuzën në drejtim të Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës” thua se vetë ai është prokuror dhe se vetë i shkruan proceset gjyqësore. Merreni me mend që ky është fjalori i presidentit tonë.. Ky është mentaliteti i njerëzve që na kanë qeverisur deri tash por jo edhe shumë gjatë”, ka thënë Konjufca.

Para tij, dëshminë në Prokruroi e ka dhënë edhe kryetari i LVV-së Albin Kurti. /Gazeta Sinjali/