Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të premten se kërkesa perëndimore për ngritjen e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk bën trysni bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, e që sipas tij nuk është hapi më i mirë që e ka bërë BE-ja.
“Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte në statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes”, ka thënë ai.
Tutje Konjufca tha se BE-ja është ngutur kur ka propozuar një statut duke ia marrë një kompetencë Kosovës, pasi sipas tij kjo nuk i takon BE-së.
“ Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian”, tha tutje ai.