Kryeparlamentari, Glauk Konjufca gjatë fjalimit të tij në ceremoninë shtetërore të varrimit të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku i cili u vra dje nga një grup terroristësh serbë, tha se dita e 24 shtatorit nga dje e tutje do të shënohet si dita kur ai ra në krye të detyrës duke u bërë heroi i Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Konjufca tha se ai dha jetën e tij për ta mbrojtur Kosovën, teksa u shpreh se rënia heroike e tij do të bëhet frymëzim për brezat e ardhshëm se si të mbrohet atdheu.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë. Rreshteri Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënja e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu”, u shpreh tutje ai.