Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka takuar Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën, në Hagë.
Këtë e bëri të ditur, shefi i stafit të Konjufcës, Ilir Kërçeli, i cili ka shkruar se pas drekës do ta takojnë edhe Rexhep Selimin kurse nesër ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
“Sot bashkë me kryeparlamentarin Konjufca filluam vizitat në Hagë, takuam ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi e Pjetër Shalën, pas drekës takojmë gjeneral Rexhep Selimin. Kurse nesër ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e poashtu edhe të dënuarit nga shoqata e veteranëve të luftës Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka shkruar Kërçeli.
Kërçeli tutje ka thënë se besojnë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare, me në krye UÇK-në, sikundër që është i bindur se adresa e krimeve barbare dhe gjenocidit mbi popullin tonë është Serbia agresore, e cila ende nuk është ndëshkuar.
“Ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit tonë në krye me UÇK-në. Sikundër jemi të bindur se adresa e krimeve barbare dhe gjenocidit mbi popullin tonë është Serbia agresore, e pandëshkuar deri më tani. Të bashkuar me njëri tjetrin mbrojmë historinë e vendit tone”, ka shkruar ai.