Anëtarja e Kongresit amerikan, përfaqësuesja Elissa Slotkin, vizitoi dje Shqipërinë, kur për herë të parë takoi nga afër disa dhjetëra qytetarë afganë, të cilët i ndihmoi të shpëtonin nga dhuna e talebanëve në fund të gushtit.
Angazhimi i saj ishte vendimtar për të larguar 118 persona nga Afganistani, dhe pjesa më e madhe e tyre u strehua në Shqipëri, ku ata gjetën siguri dhe mikpritje.
Përfaqësuesja Slotkin thotë se hapi tjetër është që demokratë dhe republikanë do të shtojnë presionin që afganët e strehuar në disa shtete mike të udhëtojnë drejt ShBA-ve.
Anëtarja e Kongresit Elissa Slotkin e vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Pasi zbriti në kryeqytet, ajo u nis menjëherë drejt Shëngjinit të Lezhës.
Në një resort turistik, plot lule, diell e bregdet, ajo takoi për herë të parë personalisht afro 80 shtetasit afganë, që i shpëtoi në muajin gusht, përmes telefonatave me zyrtarë, vullnetarë dhe kompani avionësh.
“Përshtypja ime e parë ishte se këta njerëz janë jashtëzakonisht me fat, që janë këtu, sepse iu dha një shans nga Zoti dhe nga Shqipëria të ishin përsëri të sigurt dhe të lirë. Ata janë ende të shqetësuar për statusin e tyre përfundimtar, sepse duan të shkojnë në SHBA, dhe duan të dinë se kur do të ndodhë kjo. Ata janë të shqetësuar për fëmijët e tyre dhe shkollimin e tyre. Ata janë shumë falënderues ndaj Shqipërisë dhe ndaj popullit amerikan, prandaj edhe unë erdha këtu për të parë hapat e mëtejshëm”, thotë Slotkin, për Zërin e Amerikës.
Pjesa e parë e takimeve të zonjës Slotkin në Shëngjin ishte me organizatat jofitimprurëse, që kujdesen për shtetas afganë, mes të cilëve edhe Organizata “Shpirti i Amerikës”.
Ata po trajtojnë shqetësimet e tyre, për familjarët që kanë lënë pas, për mësimin e anglishtes, për shkollimin e fëmijëve, për jetën, për udhëtimin e tyre në SHBA.
Përfaqësuesja Slotkin vërtet po i takonte për herë të parë njerëzit që shpëtoi nga rreziku i talebanëve, por takimet me ta ishin shumë emocionale, sepse ajo e dinte shumë mirë çfarë ata ndjenin. Ajo thotë se tek këta afganë ajo mund të shihte gjyshërit e saj.
“Unë vet vij nga një familje, ku gjyshërit e mi u larguan nga Atdheu, dhe e di se është e tmerrshme dhe traumatike, dhe jeta e afganëve po kalon nëpër disa trauma, sepse lanë pas një vend që e duan. Janë takime shumë emocionale. Populli amerikan është i lidhur me popullin afgan tani dhe në të ardhmen. Ashtu si shumë njerëz vite më parë ndihmuan gjyshërit e mi, edhe unë tani po ndihmoj afganët. Ashtu si çdo njeri që detyrohet të largohet nga Atdheu, ne i kuptojmë ata. Ata na thanë: Ju lutem, mos na harroni ne”, tha ajo.
Prapa kamerës tonë, qëndronin shumë qytetarë afganë teksa filmohej intervista me anëtaren e Kongresit, në lulishten e resortit ku gjendeshin dy statuja të mëdha: një shqiponjë shqiptare dhe një kopje e Statujës së Lirisë, simbol në ShBA.
Një prej tyre, Lina Muhamedi, këmbënguli për një falenderim publik ndaj Slotkin.
“Ndihma e përfaqësueses Slotkin erdhi më në fund pas shumë vuajtjesh në aeroportin e Kabulit. Dua t’i shpreh asaj vlerësimin tim më të thellë për punë e vështirë që bëri për ne. ajo na shpëtoi jetën, dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë. Ishte ajo që vendosi të sillte një aeroplan për ne, që ta sillte nga Kabuli në Shqipëri. Faleminderit asaj nga zemra ime dhe nga gjithë kolegët e tjerë që na shpëtoi”, thotë Lina.
Jeta e këtij grupi afganësh rrezikohej vërtet, sepse ishin vënë në shënjestër nga talebanët. Të gjithë ishin shkencëtarë dhe specialistë bujqësie, që bashkëpunonin me universitetin shtetëror të Miçiganit në SHBA.
Avioni i zonjës Slotkin erdhi për ta disa kohë pasi kishin ikur të gjithë aeroplanët e tjerë, kur ra heshtja dhe kur ata kishin humbur çdo shpresë
“Rruga për në Shqipëri zgjati 2 ditë dhe, kur zbritën shqiptarët i pritën shumë mirë dhe u ndjenë si në shtëpi”, thotë Lina.
Ajo vlerësoi mikpritjen e popullit shqiptar, organizatave humanitare dhe sigurinë që u siguroi qeveria shqiptare.
Edhe Përfaqësuesja Slotkin tha se ruante mbresa të jashtëzakonshme për qëndrimin e qeverisë dhe popullit shqiptar, të cilët ishin ndër shumë pak vende që ju përgjigjën thirrjes për të pritur refugjatë afganë, edhe se një vend shumë i vogël në raport me shtete të tjera në Evropë.
Populli shqiptar ishte më se i gatshëm për këtë mikpritje, banorët vendas dhanë një ndihmë shumë të madhe, duke nisur nga spitalet, komunitetet vendore e deri te bizneset. Të njëjtën ndihmë dhanë edhe banorët e Miçiganit, që ajo përfaqëson.
“Hapi tjetër do të jetë që senator e kongresmenë që jemi këtu sapo të kthehemi në SHBA do të shtojmë presionin ndaj administratës që të marrë një vendim se çfarë do të bëjnë me këta afganë. Janë rreth 6 mijë afganë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Ruanda, Uganda, dhe ne duam t’iu japim mundësinë që të vijnë në SHBA, që të jetojnë atje dhe energjinë dhe pasionin e tyre. Ne duam të ushtrojmë presion edhe mbi demokratët edhe mbi republikanët, mbi një bazë dypalëshe, që të ndërmerret hapi i duhur edhe nga Shtëpia e Bardhë”, thotë Përfaqësuesja Slotkin.
Në mesin e këtij grupi janë edhe disa universitare të lidhura me universitetin shtetëror të Miçiganit.
Ato janë disa zonja të reja shkencëtare, profesioniste, agronome shumë të afta. Ato vetëm duan që të vazhdojnë studimet në fushën e tyre, qoftë këtu në Shqipëri, qoftë në SHBA, ndaj zgjidhjet për to nuk do të vonojnë.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre.
Duke iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra, për të folur më pas për të paktën 4 mijë afganë. /GazetaSinjali/