image Konfiskohen mbi 4600 litra vaj në një market në Rahovec, s'kishin dokumentacion të origjinës

Siguri

Konfiskohen mbi 4600 litra vaj në një market në Rahovec, s’kishin dokumentacion të origjinës

news image

Në një market në Rahovec janë konfiskuar 4676 litra të vajit, pa dokumentacion të origjinës, raporton Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Rahovecit, Nora Boshnjaku.

“Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik (Mega Market) kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës!”

Ndryshe, produktet dhe shërbimet tjera në tregun e Kosovës si vaji, mielli, derivatet e naftës, biletat e autobusi dhe taksitë kanë pësuar rritje të çmimeve ditët e fundit në Kosovë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten është deklaruar lidhur me rrijten enorme që ka pësuar çmimi i vajit, duke thënë se çmimet janë të paarsyeshme dhe inspektorët do të marrin masa.

Për shkak të dyshimeve të mashtrimit me çmimin e vajit dhe produkteve tjera, pasoi edhe aksioni i Ministrisë së Industrisë, Ndermarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës në dy depo të operatorëve ekonomik mbrëmjen e kaluar.

Në këto depo, të cilat janë mbyllur për afat të pacaktuar, janë gjetur produkte të cilat janë fshehur, duke deklaruar se ka mungesë të tyre.

Njoftimi i plotë:

Inspektohen marketet në komunën e Rahovecit, sekuestrohen 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës

Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.

Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.

Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik (Mega Market) kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës!

Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/

DPI gjithashtu fton bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme.
Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit.

/GazetaSinjali/