image Konfirmohet: Ky është numri i kosovarëve që janë pajisur me viza gjermane brenda dy viteve

Kosovë

Schengen/ Konfirmohet: Ky është numri i kosovarëve që janë pajisur me viza gjermane brenda dy viteve

news image

Zyrtarë nga ambasada gjermane në Kosovë kanë konfirmuar se kanë lëshuar rreth 13 mijë viza për qëndrim afatgjatë në vitin 2018, që përfshijnë viza për bashkim familjar, punë, studime. Shifra të njëjta pritet të jenë edhe në vitin 2019.

Kosovarët aplikojnë në masë të madhe për t’u pajisur me vizë pune në ambasadën e këtij shteti në Kosovë, duke bërë që përgjigjet për një vizë të tillë nga data e aplikimit të vonohen gati dy vjet.

Zyrtarë nga kjo ambasadë thanë për Gazetën Express se sipas zhvillimeve aktuale shifrat për vizat e lëshuara në vitin 2019 do të jenë të përafërta me ato të vitit 2018.

Gjatë vitit 2018 ambasada gjermane në Prishtinë ka lëshuar 13 mijë viza për qëndrim afatgjatë duke përfshirë viza pune, viza për bashkim familjar dhe për studime.

“Gjatë vitit 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38,000 viza. Prej tyre rreth 25,000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Shengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13,000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”.

E numri i njëjtë i vizave të lëshuara nga ambasada gjermane në Prishtinë për aplikuesit nga Kosova do të jetë në trendin e njëjtë sipas zyrtarëve të saj.

“Sipas zhvillimeve aktuale duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Sipas këtyre shifrave rreth 26 mijë kosovarë kanë marrë vizë për qëndrim afatgjatë brenda dy vjetëve(2018-2019) në Gjermani qoftë për të punuar, për bashkim familjar apo studime.

Pos Gjermanisë, kosovarët aplikojnë për viza afatgjate edhe në ambasadat e shteteve të tjera për të migruar me viza pune apo me viza të tjera.

Kjo tregon që edhe në vitin 2020 kosovarët do të provojnë migrimin, si zgjidhje për largim nga Kosova./Gazeta Sinjali/