image Konfirmohet edhe zyrtarisht rënia e gripit të shpendëve në Shqipëri

Shqipëri

Konfirmohet edhe zyrtarisht rënia e gripit të shpendëve në Shqipëri

news image

Në Durrës, është shënuar rasti që konfirmon se në zonë ka qarkulluar virusi H5N8, gjithashtu i njohur si gripi i shpendëve.

Një kampion i marrë më 19 Mars ka vërtetuar dyshimet, duke karantinuar menjëherë subjektin për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje.

Ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë pretendohet se virusi nuk kalon nga shpendët tek njerëzit. Por sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C, e po ashtu edhe vezët të jenë të mirë gatuara. Kjo sepse virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave. Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës. Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8. Hetimi epidemiologjik deri më sot flet për rast të izoluar. Ndërsa është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjenës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre. Është ngritur pranë Ministrisë, Qendra Kombëtare e Manaxhimit të Situatës si dhe është vendosur në zbatim plani i masave mbrojtëse kufizuese në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE). Fermat dhe stabilimentet që mund të vërejnë problematika mund të njoftojnë Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë në numrin jeshil 0800 3366.

Ftojmë konsumatorët të mos bien pre e spekulantëve që mund të tregtojnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme tregtie a magazinimi dhe të denoncojnë menjëherë në numrin jeshil pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit: 0800 7575. Sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara. Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor. Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut. Nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit njoftojmë konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve të gjurmueshmërisë dhe janë të verifikuara nga inspektorët tanë, të cilët po rivërejnë në terren çdo subjekt tregtues, përpunues mishi shpendësh për një perputhje të plotë të gjurmueshmërisë./noa/

/GazetaSinjali/