image Konfirmohet aktakuza ndaj Sinan Vllasaliut, ngarkohet se iu shmang mbi 24 mijë euro tatim shtetit

Drejtësi

Konfirmohet aktakuza ndaj Sinan Vllasaliut, ngarkohet se iu shmang mbi 24 mijë euro tatim shtetit

news image

Sinan Vllasaliu do të përballet me akuzën se i është shmangur mbi 24 mijë euro tatim shtetit. Kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së tij për hudhje të aktakuzës.

Këngëtari Vllasaliu po akuzohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar vendimin e marrë më 16 shkurt 2023, nga gjykatësja Naime Krasniqi, ku thuhet se kërkesa për hudhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë dhe se duhet të vazhdohet me procedimin sipas aktakuzës.

Në kërkesën e parashtruar nga avokati i Vllasaliut, Florent Latifaj është kërkuar hudhja e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i tij ka sqaruar se nuk pajtohet me tatimin e paraqitur nga ATK-ja dhe Prokurorit të Shtetit për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015. Pasi që për këto vite fiskale, ai ka paraqitur pagesat e tatimeve të cilat i ka kryer në shtetin e Amerikës, periudhë kjo gjatë të cilës ai ka realizuar të ardhura në vende të ndryshme, ndërsa në periudha të caktuara ka paguar edhe në Kosovë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ka dyshim të bazuar se Vllasaliu ka kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës.

“Nga provat e propozuara në aktakuzës për veprën penale me të cilën akuzohet i pandehuri Sinan Vllasaliu paraqet dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet tutje në vendim.

/GazetaSinjali/