image Biznesi fitimprurës në Kosovë që nuk i paguan tatim shtetit

Kosovë

Shmangie/ Biznesi fitimprurës në Kosovë që nuk i paguan tatim shtetit

news image

Në Prishtinë veprojnë 14 kompani të regjistruara të taksive, shumica dërrmuese prej të cilave nuk lëshojnë kuponë fiskalë, shkruan Sinjali.

Bizneset fitimprurëse që operojnë në Kosovë po bëjnë shmangie tatimore ndaj shtetit.

Kjo dukuri po ndodhë çdo ditë, ndërsa po tolerohet nga Administrata Tatimore e Kosovës, e cila në shumë raste po i mbyll sytë duke lejuar operimin në të zezë.

Në mesin e kompanive të cilat nuk i paguajnë tatim shtetit, janë edhe auto taksitë.  

Në Prishtinë veprojnë 14 kompani të regjistruara të taksive, shumica dërrmuese prej të cilave nuk lëshojnë kuponë fiskalë, shkruan Sinjali.

Këto auto taksi kanë të paktën 50 vetura me të cilat bartin udhëtarët gjatë 24 orëve pa ndërprerë.

Shoferët e këtyre auto taksive janë të kujdesshëm në respektimin e taksimetrit për tua vjelë të hollat e udhëtarëve, por nuk e bëjnë një gjë të tillë sa i përket obligimeve të tyre ndaj shtetit.

Gazetarja  e gazetës Sinjali pasi ka udhëtuar me njërën prej kompanive të licencuara në kryeqytet, ndonëse ka kërkuar kuponin tatimor, asaj i është ofruar një faturë tjetër jotatimore.

Kur shoferi i taksisë u pyet për arsyen pse nuk lëshon kuponë fiskalë, ai ka thënë se të gjithë taksitë përdorin këto lloj faturash, transmeton Sinjali.

“Veç kësi kuponë të taksimetrave janë, nuk janë kuponë fiskal prej arkës fiskale. Këta janë veç taksi që i bënë që është kupon, nëse ki me arsyetu diku është i njëjti… kështu i kanë krejt taksitë”, thotë shoferi.

Më tutje, ai thotë që ky kupon është veçanërisht për taksitë dhe jo si i bizneseve të tjera.

“Çdo start regjistrohet, por nuk është arkë fiskale qysh i kanë marketat e këto, kjo është veç për taksi.”

E për të konfirmuar këtë gjë, Gazeta Sinjali kontaktoi edhe me disa prej kompanive të tjera të licencuara në kryeqytet. Përgjigjet e tyre ishin pothuajse të njëjta, “Vetëm faturë të rregullt, kuponë fiskal nuk kemi”, “Lëshojmë kuponë fiskal, por ndonjëherë varet prej rrjetit”, ishin arsyetimet e kompanive të tjetra.

Sinjali bisedoi edhe me disa prej shoferëve të taksive individuale, të cilët po ashtu thanë se nuk kanë kuponë fiskal, por vetëm fatura të rregullta.

“Jo kuponë fiskal nuk kemi… Vetëm faturë, e kemi të licencuar”, kanë thënë ata.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë se në pamundësi që t’i monitorojnë të gjitha bizneset 24 orë, kanë kërkuar nga qytetarët që të raportojnë rastet kur nuk marrin kuponë fiskalë.

Sipas të dhënave të ATK-së, nga periudha janar-korrik 2019, ky institucion ka zhvilluar mbi 23 mijë vizita, ku ka lëshuar 620 gjoba në vlerë prej mbi 119 mijë eurosh, ku në mesin e tyre sipas ATK-së, mund të jenë edhe taksitë. Aktualisht në Komunën e Prishtinës janë dhënë 723 leje për ushtrimin e veprimtarisë për taksi. /Sinjali/