image Konfirmohet aktakuza ndaj 4 zyrtarëve të MI-së për dallavere në tenderin për Autostradën e Gjilanit

Drejtësi

Konfirmohet aktakuza ndaj 4 zyrtarëve të MI-së për dallavere në tenderin për Autostradën e Gjilanit

news image

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.    

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të akuzuarve B.R., I.B., L.L., dhe M.E. me datë 03.06.2021 jashtë seancës gjyqësore ka marrë vendim  dhe ka refuzuar si të pabazuara kërkesën për hudhjen e aktakuzës PPS.nr.34/2019 të datës 15.02.2021, të paraqitura nga avokatët mbrojtës të të pandehurve në këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim për Sinjalin.

Reçica po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për shpëlarje të parave, ndërsa tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/