image Konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi e të tjerët mbahet më 18 janar

Drejtësi

Konferenca përgatitore për gjykimin në çështjen Thaçi e të tjerët mbahet më 18 janar

news image

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë informuar se siç ishte paralajmëruar gjatë konferencës së fundit për ecurinë e çështjes, Trupi Gjykues II ka caktuar konferencën përgatitore për gjykimin në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit më 18 janar në ora 09:30.

Në konferencën përgatitore do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë seancës, ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq.

Sa i përket pjesës substanciale, do të diskutohet për pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar, natyrën dhe kohëzgjatjen e një konflikti të armatosur dhe pikëpamjet e palëve mbi ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur ose sistematik në dritën e gjetjeve në rastet e TPNJ-së Limaj dhe Haradinaj.

Në njoftim e DhSK-së thuhet se do të diskutohet edhe për pretendimin e përgjegjësisë komanduese, pastaj për domosdoshmërinë e provave për pretendimet lidhur me krimet serbe të kryera gjatë asaj kohe, pikëpamjet e palëve nëse të burgosurit e asaj kohe që ishin anëtarë të forcave të armatosura bien në kategorinë e përshkruar nga ZPS si “popullsia civile e kundërshtarëve” dhe faktorët që paneli duhet të marr parasysh në vlerësimin nëse kjo e fundit ishte me natyrë kryesisht civile.

Gjithashtu, paneli do të kërkojë sqarime nga avokati i Veselit lidhur me komentet e bëra gjatë Konferencës së Statusit më 8 shtator 2022 në lidhje me kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të Rregullës 153 dhe Rregullës 154 të SPO-së dhe sqarime nga avokati i  Thaçit lidhur me ekzistencën e pretenduar të “Operacioni Patkoi”.

image 76

/GazetaSinjali/