Prokurori në Gjykatën Speciale, Allan Tiger dhe gjykatësi Nicolas Guillou, kanë kërkuar që konferenca e ardhshme ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veselit e Jakup Krasniqit dhe ndaj ish-deputetit, Rexhep Selimit të mbahet në fund të janarit të vitit 2021, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e kanë pranuar edhe avokatët e tyre.
Gjykatësi Nicolas Guillou, ka kërkuar të dijë se cila është një datë e përshtatshme për konferencat e ardhshme.
Kurse, Prokurori Allan Tiger ka kërkuar që konferenca e ardhshme të zhvillohet në janar.
“Ka rrethana kur kjo është më e rëndësishme, ku mund të merren përgjigje për disa pyetje”, tha Prokurori, duke shtuar se gjykata nuk duhet të lejojë të ketë periudha të gjata kohore mes konferencave.
“Deri tani kemi pasur konferenca për ecurinë e çështjes, 1 herë në muaj. Propozoj që e ardhshmja të jetë në fund të janarit”, tha Avokati David Hooper i cili përfaqëson Hashim Thaçin.
“Menaxhimi i përgatitjes për gjykim është proces i rëndësishëm. Dhe duke marrë parasysh parashtrimin e Tiger se mbrojtja po përpiqet të stërzgjasë procesin e përgatitjeve të veta, është i pavend. Ne pajtohemi që mbajtja e konferencave 1 herë në muaj është në parim si duhet të bëhet në mënyrë të shkëmbehen informacionet. Afati apo orari për konferencën e ardhshme do të sugjeroja të ishte 18 janari 2021”, tha mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson.
“Edhe unë propozoj që konferenca të mbahet pas një muaji”, tha avokatja malajziase Venkateswari Alagendra që përfaqëson Jakup Krasniqin.
Po ashtu, edhe avokati britanik David Young që përfaqëson Rexhep Selimin, tha se “pajtohet me këtë”.
Gjykatësi Guillou, tha se shpejt do të caktohet data e saktë për këtë.
“Edhe unë ndaj mendimin që të paktën një herë në muaj të mbahen konferencat ku të bashkërendohen mendimet. Dua që këto përgatitje të jenë sa më të shpejta dhe palët të bëjnë përgatitjet e tyre që të kryhet një gjykim i shpejtë”, përfundoi ai.