image Komunat të gatshme për financim të stafit shëndetësor, kërkojnë që vaksinimi të kryhet edhe ditën e diele

Shëndetësi

Komunat të gatshme për financim të stafit shëndetësor, kërkojnë që vaksinimi të kryhet edhe ditën e diele

news image

Komunat e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për t’i ofruar mbështetje financiare Ministrisë së Shëndetësisë, për rritjen e stafit shëndetësor në mënyrë që vaksinimi anti-COVID të kryhet edhe në vikend.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka treguar se në takimin e mbajtur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kryetarët kanë paraqitur kërkesë për intensifikim të vaksinimit të qytetarëve.

Sipas Ibrahimit, ministri Vitia ka informuar kryetarët e komunave se është në koordinim me ministrin e Financave, Hekuran Muratin për të rekrutuar edhe 100 punonjës shëndetësor shtesë.

“Kryetarët e komunave kërkuan nga niveli qendror që procesi i vaksinimit të ndodhë edhe gjatë vikendit, të mos ndalet as ditëve të punës as në vikend. Ministri Vitia informoi kryetarët e komunave se është në proces dhe është akorduar me ministrin e Financave që t’i rekrutojnë edhe 100 punonjës të rinj shëndetësor të cilët do të përkrahin institucionet shëndetësore të nivelit qendror po ashtu edhe të nivelit lokal”, është shprehur ai.

Gjithashtu i pari i asociacionit njoftoi se kryetarët e komunave janë zotuar për sigurim të Qendrave të reja ku ofrohet vaksinim anti-COVID.

Kryetarët e komunave kërkuan që të gjinden mundësi të tjera për hapjen e qendrave të reja të vaksinimit sepse vetëm me qendrat aktuale nuk po mund t’i dilet ballë interesit të qytetarëve për vaksinim. Në qendrat aktuale po ka grumbullim të madh të qytetarëve të cilët fatmirësisht janë të interesuar të vaksinohet, mirëpo nëse ka grumbullim të madh të njerëzve para qendrave të vaksinimit atëherë ato mund të shndërrohen edhe në vatra të infektimit”, tha ai.

“Për këtë arsye kryetarët po konsiderojnë që duhet të hapen patjetër qendra të reja të vaksinimit, ku kryetarët u zotuan dhe morën obligim që ata mund t’i identifikojnë qendrat e mjekësisë familjare të reja të cilat mund të shndërrohen si pika për vaksinim, mirëpo që vaksinimi të ndodhë edhe gjatë ditëve të vikendit. Sepse nëse punohet kështu brenda një muaji mund të vaksinohen 160 mijë njerëz më shumë”, ka shtuar ai.

Më tej Ibrahimi tha se kanë marrë konfirmim nga Vitia se nga kjo e shtunë do të nis vaksinimi, por akoma nuk dihet për ditën e diel.

Ministri Vitia deklaroi se që nga kjo e shtunë procesi do të fillojë vaksinimi edhe gjatë ditës së shtunë por jo edhe të dielën. Shpresojmë pasi që situata është emergjente procesi i vaksinimit të intensifikohet, nëse ka nevojë me orar pak më të zgjatur”, tha ai për EO.

Kryetarët e komunave gjithashtu kërkuan nga niveli qendror nëse ka mundësi që të delegohen disa kompetenca në nivelin lokal sa i përket procesit të rekrutimit të personelit shëndetësor, disa komuna shprehen gatishmëri që edhe me mjete të veta financiare mund t’i bëjnë këto veprime, por kërkohet një lloj leje nga niveli qendror që komunat të procedojnë një gjë të tillë”, theksoi Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit kryetarët e komunave e kanë parë të arsyeshme që stafit shëndetësor tu ofrohet një shujtë ditore në ditë.

Gjithashtu, kryetarët kërkuan që personelit shëndetësori cili është i involvuar në procesin e vaksinimit të iu sigurohet një shujtë ditore e ngrohtë” ka përfunduar ai.

/GazetaSinjali/