Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se vaksinimi është arma kryesore kundër pandemisë me COVID-19 dhe jo ora policore.
Ai ka thënë se nuk ka argument shkencor që me orë policore luftohet shpërndarja e virusit.
Po ashtu ai ka shtuar se duhet të kërkohet një bilanc ndërmjet shëndetit publik dhe atij ekonomik në mënyrë që mos të dëmtohen në masë të madhe bizneset në raste së shtrëngimit të masave.
“Nëse bëhet krahasimi i orës policore nga muaji tetor, nëntor, dhjetor dhe tash nuk ka dhënë asnjë rezultat sepse në mënyrë shkencore është konstatuar se vetëm vaksinimi është arma kryesore e cila lufton pandeminë COVID-19”, ka deklaruar Ibrahimi.
“Kryetarët e komunave kanë kërkuar që të gjendet një balancim mes shëndetit publik dhe ekonomik. Është konkluduar se pa një shëndet të mirë ekonomik nuk po kemi shëndet publik.”
Ai më tej ka shtuar se pas rritjes së numrit të rasteve me Omicron janë duke pritur që të takohen me institucionet qendrore në lidhje me masat e mundshme.
“Duke marrë parasysh se rastet me COVID-19, me varantin Omicron janë duke u rritur në mënyrë drastike kryetarët e komunave, por edhe Asociacioni e Komunave të Kosovës është në pritje të një takimi të mundshëm me nivelin qendror, përkatësisht me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të diskutohet situata aktuale në terren dhe të diskutohet rreth masave të mundshme që mund të priten për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve”, ka deklaruar Ibrahimi për eo.
Asociacioni i Komunave po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që ta rikthejë në komunitetin anti-COVID, sepse sipas tij, komunat luajnë një rol domethënës në parandalimin e përhapjes së virusit.