Komunat e Kosovës kanë shpenzuar mbi 12 milionë euro si pasojë e humbjeve të rasteve në procese gjyqësore. Ndër to prijnë komuna e Leposaviqit, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Deçani, Drenasi, dhe Kllokotit të cilat kanë paguar më së shumti nga vendimet e gjykatave në periudhën janar- tetor të vitit 2019.
Koordinatori i projekteve në ‘Fol’, Elbasan Racaj tha se edhe në të kaluarën komunat kanë bërë shpenzime të tilla. Sipas tij, vetëm në vitin 2018 komunat kanë shpenzuar më shumë rreth 16 milionë euro, ndërsa vitin 2017, tetë milionë.
“Komunat shpenzojnë kogja të holla në këtë fushë. Nëse ndalemi dhe analizojmë sa kanë shpenzuar komunat në periudhën janar-tetor 2019, si rezultat i vendimeve të gjyqësorit, atëherë arrijmë në shifrën prej 12 milionë e 458 mijë e 861 euro. Pra kjo është shumta totale të cilën 38 komuna të republikës kanë shpenzuar si rezultat i vendimeve të gjyqësorit. Në përqindje kjo përkthehet në 2.22 përqind. Pra 2.22 përqind, komunat kanë shpenzuar në këtë kuadër”, tha ai.
Ndërsa, ndër komunat që kanë shpenzuar më pak, ai tha se janë Shtërpca, Ranillugu, Obliqi, Dragashu, Hani i Elezit dhe Graçanica.
Gjithë këto humbje, sipas Racajt po vijnë si pasojë e mungesës së stafit të zyrave ligjore në komunat përkatëse.
“Vlerësimi i rasteve mbi të cilat janë dënuar komunat dhe mbi të cilat komunat detyrohet në bëjnë pagesa janë të shumta. Ndoshta ka komunë që ka një vendim nga 20 euro deri tek 100 mijë euro që është kogja e vështirë analizimi i të gjitha rasteve. Ajo që ne e kemi pa është që zyra ligjore të komunave ankohen për personale të pakët. Pa mundësi të procedimit të të gjithave lëndëve dhe marrjen pjesë në seanca gjyqësore ku vendoset për buxhetin e komunës”, u shpreh Racaj.
Këto të dhëna u publikuan sot në konferencën e Lëvizjes “Fol”, ku u prezantuan edhe gjetjet tjera nga monitorimi i tillë në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënie komunale për taksapaguesit”, të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Lëvizja FOL, në kuadër të mbledhjes së këtyre të dhënave, ka shfrytëzuar edhe raportet financiare të komunave, të dhënat e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit./Gazeta Sinjali/