Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.
Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
“Ministria e Financave, Transfereve dhe e Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme ku gjatë procesit të amandamentimit nuk konsultoi fare Komunat e Republikës së Kosovës. Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejpërdrejtë buxhetet e Komunave. Pastaj, MFTP-ja e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Tutje, përmes këtij reagimi ata thonë se kanë kërkuar debat nga Kuvendi i Kosovës lidhur me ketë çështje, por që as aty nuk është diskutuar.
“AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës që të ketë debat dhe konsultime me Komunat sa i përket këtij Projekt Ligji sepse ka të bëj me autonominë financiare të Komunave dhe i cili ligj ka impakt të drejpërdrejtë në buxhetet e tyre e së këndejmi edhe në projektet kapitale sepse tatimi në Pronë është e hyrë vetanake e Komunave. As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projekt ligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë”, deklarojnë ata.