image Komuna obligon qytetarët të paguajnë 20 euro për një vërtetim, Avokati i Popullit paralajmëron hapje të rastit

Kosovë

Taksa/ Komuna obligon qytetarët të paguajnë 20 euro për një vërtetim, Avokati i Popullit paralajmëron hapje të rastit

news image

Qendrat për Punë Sociale në disa komuna të Kosovës, ka muaj që kanë filluar zbatimin e një vendimi të kuvendeve të tyre komunale, i cili obligon qytetarët të paguajnë taksa për marrjen e çfarëdolloj vërtetimi në këto qendra.

Këto taksa fillojnë nga 3 euro për të vazhduar deri në 20 euro, varësisht nga lloji i vërtetimit.

Kështu, qytetarët e Komunës së Prizrenit po paguajnë 20 euro për të marrë vërtetim për lirimin nga shtetësia e Kosovës. Prizrenasit duhet të paguajnë 20 euro edhe në rast se duan të marrin vërtetim për bashkim familjar ose vërtetim për mbajtje të armës.

Taksat e tilla kanë filluar së aplikuari që nga 28 marsi i vitit që sapo lamë pas, kur Kuvendi Komunal i Prizrenit miratoi një rregullore, e cila ka si qëllim caktimin e lartësisë së tarifave, ngarkesave dhe gjobave për shërbime nga veprimtaritë komunale.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Kumrije Bytyqi, u.d. e drejtoreshës në Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, për të kuptuar se ku shkojnë mjetet financiare të akumuluara nga këto taksa.

“Mjetet e mbledhura shkojnë në buxhetin komunal”, tha Bytyqi, në përgjigjen e saj përmes e-mailit.

Aplikimin e këtyre taksave, tash e tetë muaj, po e bën edhe Qendra për Punë Sociale në Komunën e Mitrovicës. Për marrjen e vërtetimeve të ndryshme në këtë qendër, mitrovicasit po paguajnë deri në 5 euro.

Kjo ka bërë që ata të fillojnë një peticion kundër vendimit të Kuvendit Komunal.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në e-mailin zyrtar të Avokatit të Popullit, për të kuptuar nëse ky institucion është i informuar për aplikimin e këtyre taksave nga Qendrat për Punë Sociale.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit paralajmëruan se të hënën do të hapin rast dhe do të marrin masat e nevojshme.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është në fazën e marrjes dhe vlerësimit të informacioneve dhe të dokumentacionit të çështjes. Institucioni i Avokatit të Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të hap rast sipas detyrës zyrtare, atë nga dita e hënë, 13 janar, dhe pas vlerësimit të tyre do të veprojë në pajtim me mandatin kushtetues dhe ligjor”, tha për Gazetën Sinjali, Petrit Çollaku nga zyra e Avokatit të Popullit.  

Por, taksa për shërbime të tilla nuk po aplikon Komuna e Prishtinës. Në Qendrat për Punë Sociale në kryeqytet të gjitha shërbimet ofrohen falas.

“Të gjitha shërbimet që ofrohen në Qendrat për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës janë pa pagesë, përfshirë edhe këto që i keni përmendur ju në pyetjet e mëposhtme”, bëri të ditur për Gazetën Sinjali Premtim Fazliu, koordinator për Projekte dhe Aktivitete në Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë.

Shërbime falas në Qendrën për Punë Sociale kryen edhe Komuna e Pejës.

Drita Kelmendi – Kukaj, e cila është drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Pejës, tha për Gazetën  Sinjali se qytetarët  e kësaj komune nuk paguajnë asnjë lloj takse për asnjë vërtetim që duan ta marrin nga kjo qendër.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nga kjo ministri nuk ka pranuar ende përgjigje.

Gazeta Sinjali nuk ka pranuar përgjigje as në pyetjet e dërguar në Komunën e Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt, për të kuptuar nëse taksat e tilla po aplikohen edhe në këto komuna. /Gazeta Sinjali/