image Komuna e Prizrenit liron bizneset nga pagesa e qirasë dhe taksat deri në këtë muaj

Financa

Komuna e Prizrenit liron bizneset nga pagesa e qirasë dhe taksat deri në këtë muaj

news image

Komuna e Prizrenit ka liruar për gjashtë muaj nga pagesa e qirasë dhe taksave bizneset e kësaj komune, shkruan Gazeta Sinjali.

Ky vendim njoftohet se u mor në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal dhe do të vlejë për periudhën mars-gusht 2020.

“Nga të hyrat e mëparshme në Komunën e Prizrenit, kemi inkasuar gjithsej 321,720 euro nga qiratë dhe taksat, shumë kjo e cila tani nuk do të paguhet nga bizneset, duke kontribuar kështu në lehtësimin e gjendjes së tyre ekonomike, që është rënduar gjatë kohës së pandemisë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Po ashtu, në këtë mbledhje Kuvendi Komunal në Prizren votoi memorandumin për mbështetje financiare për strehimoren e grave dhe fëmijëve, si dhe plani komunal i veprimit për efiçiencë të energjisë (PKVEE) 2019-2021.

“Lidhur me strehimoren e grave dhe fëmijëve, kemi ofruar më parë rreth 8,500 në formë të subvencionimit, si dhe rreth 20,000 euro me mbështetje nga obligimet ndaj Komunës. Ndërsa në anën tjetër, nëpërmjet planit të veprimit për efiçiencë të energjisë do të aplikojmë në Fondin për Kosovar për Efiçiencë të Energjisë për të përfituar fonde shtesë”, thuhet në komtesë.

Kuvendarët sot po ashtu u njoftuan që Komuna e Prizrenit ka hyrë në projektin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për analizën e pasojave ekonomike të pandemisë COVID-19, nga e cila thonë se presin rekomandime se si t’i përballojnë efektet ekonomike dhe finaciare të pandemisë./Gazeta Sinjali/