image Komuna e Podujevës s'ka para për t'i mbështetur të infektuarit me COVID-19

Financa

Komuna e Podujevës s’ka para për t’i mbështetur të infektuarit me COVID-19

news image

Komuna e Podujevës nuk ka mjete buxhetore të mjaftueshme për mbështetjen financiare të qytetarëve të Podujevës të cilët janë të prekur me COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është shprehur se mundësia e vetme për një përkrahje të tillë është rishikimi i buxhetit.

Ani pse ka qenë premtim i tij në fushatën zgjedhore, Bulliqi gjatë prezantimit të qeverisjes së tij 100 ditëshe, thotë se nuk kanë mundësi të dalin jashtë kornizave buxhetore që janë të planifikuar nga qeverisja e kaluar, dhe siç thotë ai kërkohen rreth gjysmë milioni euro.

“Komuna jonë ka mbi 5 mijë, për mos me thënë rreth 6 mijë të infektuar dhe që të jetë e mundur të realizohet diçka e tillë domosdoshmërisht duhet ta heqim një projekt ndoshta me qindra mijëra për mos me thënë mbi gjysmë milionë euro që të mund të kanalizohet kjo çështje. Prandaj, ne nuk kemi të drejtë pa rishikim të buxhetit të bëjmë ri-alokime të caktuara të mjeteve buxhetore. Ndryshe, ne e dimë shumë mirë që kjo kategori është në gjendje të rëndë, kjo kategori ka pasur nevojë për ndihmë, sepse e dimë sa është kostoja për një pacient i cili duhet të shërohet nga prekja prej COVID-19”, ka thënë Bulliqi për KP.

Disa komuna në vend, përfshirë edhe Prishtinën kanë ndarë mjete buxhetore për qytetarët e tyre, të cilët janë infektuar nga Covid-19.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 79 mijë 089 raste nga 366 mijë  e 574 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mijë e 731 raste të vdekjes. Brenda 24 orëve të fundit kanë rezultuar 709 raste pozitive dhe janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv./Gazeta Sinjali/