image Komuna e Mitrovicës pagoi mbi 19 mijë euro për mësimdhënësit me kontrata të skaduara

Arsim

Komuna e Mitrovicës pagoi mbi 19 mijë euro për mësimdhënësit me kontrata të skaduara

news image

Komuna e Mitrovicës në vitin 2019 kishte lidhur kontrata me mësimdhënës me afat të caktuar por me mundësi vazhdimi, mirëpo pas skadimit të kontratave komuna nuk kishte bërë ripërtëritjen e tyre, ndërsa kishte vazhduar t’i paguante pa kontratë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar se vlera e paguar pa kontrata ishte 19, 510 euro.

Pagesa e mësimdhënësve pa ripërtëritjen e kontratave, sipas auditorit, paraqet cenim të së drejtës së marrëdhënies në punë.

“Pagesa e mësimdhënësve pa ripërtëritjen e kontratave përpos që konsiderohen pagesa të parregullta, paraqet dhe cenim të së drejtës së marrëdhënies në punë. Po ashtu mungesa e informatave për pagat në kontratat e mësimdhënësve rrezikon që pagesa të kryhet jo në përputhje me punët/orët e mbajtura”, thuhet në raportin e ZKA-së.

E gjithë kjo, në bazë të auditimit, ndodhë si pasojë e kontrollit dhe komunikimit jo të duhur të drejtorisë së arsimit me drejtorët e shkollave, duke mos i kontrolluar kontratat sipas kërkesave ligjore.

Auditori ka gjetur edhe 4 raste të tjera ku në përmbajtjen e kontratës nuk ishte përcaktuar paga mujore e të punësuarve.

Udhëzimi Administrativ i MASHTI-it për kontratat e punës së mësimdhënësve të arsimit parauniversitar, specifikon se kontrata e punës mund të jetë me kohë të pacaktuar dhe kontratë me kohë të caktuar, ndërsa shtojca I e kontratës së punës, gjegjësisht neni 2, specifikon se në përmbajtje të kontratës duhet të ceket paga mujore e të punësuarit.

ZKA rekomandon që kryetari duhet të sigurojë se çdo i punësuar në komunë të jetë i pajisur me kontratë valide konform udhëzimeve, duke përfshirë dhe informacionet për lartësinë e pagës mujore.

Numri i aprovuar i të punësuarve në komunën e Mitrovicës sipas buxhetit ishte 1,973 ndërsa në fund të vitit numri i tyre ishte 1,904. Pra, gjatë vitit 2019 ishin punësuar 57 të rinj./GazetaSinjali/