image Komuna e Malishevës merr vendim që t'ua sigurojë falas medikamentet personave të infektuar me COVID-19

Shëndetësi

Komuna e Malishevës merr vendim që t’ua sigurojë falas medikamentet personave të infektuar me COVID-19

news image

Kuvendi Komunal i Malishevës sot ka marrë disa vendime në mbështetje të qytetarëve, punonjësve, organizatave dhe institucioneve të rekomanduara nga Komisioni për Menaxhimin e pandemisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, është vendosur që personat e infektuar me COVID-19, të furnizohen falas me medikamente të nevojshme për terapi, projekt i cili është në vlerë prej 50 mijë eurosh.

Po ashtu, në këto vendime përfshihet edhe furnizimi dhe ndarja e pakove ushqimore për fëmijët e grupmoshës 0-3 vjeç të familjeve me asistencë sociale, si dhe furnizimi me maska shumëpërdorimëshe dhe dezinfektuesve, në vlerë prej 20 mijë euro.

Krasniqi bënë të ditur se do të dhurohen nga një tablet për familjet që janë në asistencë sociale që kanë fëmijë nxënës nga klasa e parë deri në klasën e tetë, si dhe sigurimi i rrjetit të internetit për këto familje.

Njoftimi i plotë:                                                         

Sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Malishevës morëm një numër vendimesh në mbështetje të qytetarëve, punonjësve, organizatave dhe institucioneve:

➡️ U aprovuan rekomandimet e Komisionit për Menaxhimin e pandemisë COVID-19:

1. Furnizimi dhe ndarja e pakove ushqimore dhe higjienike për fëmijët e moshës 0-3 vjeç të familjeve në asistencë sociale si dhe furnizimi dhe shpërndarja e maskave shumë përdorimëshe dhe dezinfektuesve për familjet në asistencë sociale. Vlera 20.000€.

2. Furnizimi dhe ndarja e nga një tableti për familjet në asistencë sociale dhe familjeve me nëna vetushqyese që kanë fëmijë nxënës, prej klasës së –I- (parë) deri te klasa e-VIII-( tetë) si dhe sigurimi i rrjetit të internetit për këto familje deri në përfundimin e vitit shkollor 2020-2021. Vlera 30,000 euro

3. Furnizimi dhe ndarja falas e medikamenteve të nevojshme për terapi për rastet e infektuara me COVID-19. Vlera 50,000

4. Angazhimi i përkohshëm prej gjashtë muajsh i stafit shtesës në QKMF: 1 Radiolog, 1 Pulmolog dhe 5 mjekë të përgjithshëm dhe 5 teknikë mjekësor. Përzgjedhja e tyre duhet të bëhet përmes konkursit publik sipas procedurave të thjeshtësuara për rastet me kontratë për shërbime të veçanta (kontrata në vepër). Vlera 35,000 euro.

5. Krijimi i qendrës së komunikimit dhe informimit në ambientet e ndërtesës së Muzeut të Qytetit për ndihmë studentëve të Komunës së Malishevës, të cilët i ndjekin ligjëratat online . Kjo qendër të pajiset me inventar dhe teknologji informative: 4 kompjuterë, 1 aparat fotokopjues, për skanim dhe shtypje, 10 tavolina dhe 10 karrige dhe material i nevojshëm administrativ. Vlera 10,000 euro.

➡️ U ndanë mjetet për shujta për vitet 2018, 2019, 2020 për punëtorët e administratës komunale dhe zjarrëfikësit në përmbushje të obligimeve të kontratës kolektive

➡️ Klubit të Futbollit Malisheva iu ndanë 50,000 euro

➡️ Bordit të Stacionit të Autobusëve iu ndanë 9600 euro në emër të mbulimit të shpenzimeve dhe masave mbështetëse ndaj pandemisë COVID 19

➡️ U anulua vendimi i drejtorisë së kulturës që ndalonte aktivitetet sportive në stadiumin e qytetit dhe u autorizua drejtoria e kulturës që së bashku me klubet dhe shkollat sportive të hartojnë një orar të përshtatshëm për të gjithë, duke i dhënë prioritet aktiviteteve të FC Malisheva./Gazeta Sinjali/