image Kompletohet Shqipëria, nisin përgatitjet për sfidat vendimtare të tetorit

Futboll

Kompletohet Shqipëria, nisin përgatitjet për sfidat vendimtare të tetorit

news image

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve të radhës për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” ndaj Hungarisë dhe Polonisë.

Kuqezinjtë kanë mbërritur në kompleksin Tropikal gjatë të dielës dhe të hënës, me grupin që është plotësuar gjatë orëve të pasdites. Të fundit që i janë bashkuar ekipit kanë qenë: Myrto Uzuni, Elseid Hysaj, Ermir Lenjani, Ivan Balliu, Ylber Ramadani dhe Keidi Bare.

Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij teknik, ekipi ka zhvilluar një seancë të plotë gjatë pasdites së sotme. Një pjesë e lojtarëve, të cilët kanë qenë të impenjuar gjatë të dielës me kubet e tyre kanë zhvilluar përgatitje me intensitet të reduktuar, ndërsa të tjerët janë stërvitur normalisht.

Ndërkaq, skuadra do të vijojë me të njëjtin program edhe në ditët në vazhdim, teksa stafi teknik do të ketë të paktën 6 ditë për të përgatitur sfidën e parë me Hungarinë, që luhet më 9 tetor në Budapest e më pas kuqezinjtë do të sfidojnë Poloninë më 12 tetor në stadiumin “Air Albania”.

Këto janë dy sfidat vendimtare për Shqipërinë në rrugën për të siguruar një biletë për në fazë play-off të Botërorit. Aktualisht, përfaqësuesja kuqezi renditet e dyta në Grupin I./Gazeta Sinjali Sporti/