Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës njofton se shumë kompani janë duke i larguar nga puna punëtorët në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19. Gjithashtu, kjo sindikatë vlerëson se pakoja emergjente e miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk është e mjaftueshme që të paguhen të gjithë punëtorët e sektorit privat.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, përmes një konference për media, bëri të ditur se shumë punëtorë janë duke u larguar nga puna, për çka bëri thirrje që të ketë një vendim nga Qeveria e vendit që do të ndëshkonte kompanitë që shkelin ligjin e punës.
“Gjatë kësaj periudhe kemi vërejtur se shumë kompani, një numër jo i vogël janë duke larguar punëtorët nga kompanitë e tyre, janë duke larguar punëtorët në mënyrë individuale dhe grupore, për të cilat kemi raste në shumë kompani. Përpos largimit nga puna, pronarët e kompanive kanë filluar që t’ua ulin edhe pozitat e punëtorëve dhe t’ua ofrojnë kontrata ekstra në këtë periudhë të cilën veç ne po gjendemi. Përderisa Qeveria e Kosovës ka proklamuar se punëtorët të cilët edhe mund të punojnë nga shtëpitë aty ku krijohen mundësitë dhe ne kemi vërejtur se shkak i kësaj ka ndodhur edhe largimi i punëtorëve edhe pse ka pasur mundësi që shumë punëtorë ta kryejnë punën e tyre nga shtëpitë, këtë pronarët e kompanive nuk e kanë lejuar. Ne kemi vendime të cilat pronarët e kompanive i kanë larguar nga puna dhe sigurisht që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Inspektorati i Punës jam shumë i bindur se nuk do t’i del ballë prezantimit te kryeministrit lidhur me këtë çështje”, tha ai.
Ai tha se punëtorët të cilët janë duke e vazhduar punën po përballen me probleme të shumta, ku ndër to përmendi mungesën e transportit. Sipas tij, për çështjen e transportit të udhëtarëve nuk janë marrë as kompanitë e as shteti.
Sa i përket pakos emergjente të miratuar nga Qeveria, Azemi tha se ajo nuk është e mjaftueshme për të paguar të gjithë punëtorët e sektorit privat. Ai tha se ka edhe shumë paqartësi se për cilat kategori janë ndarë rreth 400 milionë euro për pagat e punëtorëve të sektorit privat.
Ai tha se e kanë dhënë një propozim që të ketë zvogëlim të pagave të punëtorëve në sektorin publik dhe të ketë rritje në sektorin privat.
“Me pakon që e ka ndarë për punëtorët e sektorit privat, mund të ndahen për 100 mijë punëtorë vetëm për dy muajt, pra prillin dhe majin, kur dihet se në sektorin privat kemi mbi 300 mijë punëtorë, e llogarisim se 100 mijë i kemi aktiv nëpër kompani të mëdha dhe nëpër shërbime të tjera që kryejnë. Diku mbi 250 mijë punëtorë janë jashtë procesit të punës. E kemi bërë një propozim që së paku për dy muajt e ardhshëm ndoshta të ulet paga dhe njëfarë forme të bëhet nivelizimi i pagave të sektorit privat me sektorin publik dhe paga e sektorit publik të zvogëlohet për 50 për qind dhe paga e sektorit privat të rritet për 50 për qind”, tha ai.
Po ashtu, Azemi bëri të ditur se kanë propozuar Qeverisë së Kosovës, që të krijohet edhe një fond rezervë, me të cilin do të paguhen të gjithë punëtorët që nuk janë përfshirë në këtë fazë.
“Nga fondi rreth 180 milionë euro, propozoj Qeverisë së Kosovës që 20 për qind të këtij fondi e që diku i bie rreth 36 milionë euro të mbetet si fond rezervë, sepse do të dalin kategori të punëtorëve të cilët Ministria e Financave dhe Qeveria nuk i ka paraparë fare. Andej që të mos ketë pakënaqësi të mëdha, thërrasë që këtë fond prej 36 milionë euro të mbetet fond rezervë për të cilat kategori Qeveria nuk i ka paraparë. Kemi punëtorët teknik në të gjitha QKMF-të, në QKUK, të cilët për çdo ditë janë prezent bashkë me mjekët dhe mendoj që është jo serioze të bëhet një ndarje e tillë”, tha ai.
Azemi u ka bërë thirrje edhe pronarëve të kompanive që janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre që të sigurojnë punëtorët dhe t’i pajisin me mjete mbrojtëse./Gazeta Sinjali/